Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, në fjalimin në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të martën, ka kritikuar UNMIK-un për, siç tha ajo, shtrembërim të fakteve dhe humbje të kredibilitetit si mision i OKB-së. Në seancën ku u diskutua për Kosovën, rishikim të mandatit të Misionit kërkuan Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe. Por, profesori i së drejtës ndërkombëtare, Enver Hasani, thotë se për momentin do të jetë i vështirë rishikimi i mandatit
Qeveria e Kosovës u ka dhënë jehonë akuzave ndaj misionit të UNMIK-ut pas seancës të së martës mbrëma në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ku u diskutua për situatën në Kosovë. Ministria e Jashtme e ka përcjellë të mërkurën pjesën e fjalimit të ministres në detyrë, Donika Gërvalla, ku u bëri ftesë përfaqësuesve të shteteve anëtare që të vizitojnë Kosovën dhe të mos informohen, siç tha ajo, përmes pasqyrimeve të deformuara në raportet e UNMIK-ut.
Gërvalla i është referuar raportit të UNMIK-ut lidhur me sulmin terrorist të vitit 2023 në Banjskë, duke thënë se “ta quash këtë ‘incident sigurie’, siç bën UNMIK-u në raportin e vet, është shtrembërim i fakteve”.
“Më 24 shtator 2023, Republika e Kosovës u bë shënjestër e një grupi paramilitar me mbështetje të Serbisë, udhëhequr nga Milan Radojiçiq, njeri që publikisht njihet për lidhjet e tij me elitën e Serbisë, duke përfshirë edhe ministrin aktual të Punëve të Jashtme, z. Gjuriq këtu që është dhe vetë presidentin Vuçiq. Ka fotografi publike të Gjuriqit në fotografi, ku shihet ulur në kafene me Radojiçiqin, që e dëshmojnë këtë lloj lidhjeje. Ky ka qenë një akt i hapur agresioni”, ka thënë Gërvalla.
“Ta quash këtë incident serioz sigurie, siç u bë në raportin e UNMIK-ut këtu, jo vetëm që është keqpërshkrim, por është shtrembërim. Faktet janë të qarta. Serbia e ka armatosur, sponsorizuar e trajnuar këtë grup që kreu agresion në Kosovë. Jo vetëm që ishte terrorizëm, por ishte akt lufte”.
Në UNMIK nuk u përgjigjën në pyetjet e KOHËS të mërkurën lidhur me akuzat e Gërvallës.
Profesori i së drejtës ndërkombëtare, Enver Hasani, thotë se akuzat janë të pabaza, sepse UNMIK nuk po deformon asnjë realitet.
“Ai vetëm po ushtron mandatin e tij sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Kosova, megjithatë, në vazhdimësi duhet të protestojë kundër Rezolutës 1244, si një shtet sovran dhe i pavarur, sepse është krijuar në përputhje me të drejtën ndërkombëtare”, ka thënë Hasani.
Rishikimi i mandatit të UNMIK-ut u përmend sërish nga vendet aleate të Kosovës në OKB, ShBA-ja dhe Britania e Madhe, tek bënë thirrje për ulje të tensioneve.
“Kosova dhe Serbia duhet të punojnë në zbutjen e tensioneve dhe të përmbahen nga retorikat eskaluese mes tyre dhe në rajonin e tyre për një të ardhme më prosperuese. Qëllimi përfundimtar duhet të jetë njohja e ndërsjellë. Normalizimi i marrëdhënieve është qenësor për Ballkanin Perëndimor”, tha përfaqësuesi i SHBA-së, John Kelley.
Tek foli për çështjen e UNMIK-ut në Kosovë, ai shtoi se ai nuk ka rol në qeverisjen e Kosovës.
Kelley përsëriti qëndrimin e ShBA-së se mbledhjet e Këshillit të Sigurimit ë OKB-së duhet të mbahen me dyer të mbyllura dhe të reduktohen në baza 1-vjeçare.
E sipas profesorit të së drejtës ndërkombëtare, Enver Hasani, për momentin do të jetë e vështirë rishikimi i mandatit të UNMIK-ut.
Rezoluta 1244 është baza juridike ndërkombëtare për veprimet e UNMIK-ut në Kosovë. Kjo rezolutë ka vlefshmëri automatike deri në momentin kur pesë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së pajtohen për shfuqizimin e saj. Kjo është vështirë të ndodhë pa pasur një pajtim të përgjithshëm mes Rusisë dhe SHBA-së. Kina, në një rast të tillë, do të abstenonte. Pra, pajtimi SHBA - Rusi është vendimtar për çdo rishikim të mandatit të UNMIK-ut. Vështirë për momentin të ndodhë diçka e tillë”, ka thënë ish kryetari i Gjykatës Kushtetuese.
Në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së u diskutua edhe për dialogun Kosovë-Serbi. Përfaqësuesi i SHBA-së, Kelley, tha se qëllimi përfundimtar mes Kosovës dhe Serbisë në dialogun e Brukselit duhet të jetë njohja reciproke.
Ndërkaq Fergus Eckersley tha se Mbretëria e Bashkuar ka qenë mbështetëse dhe mike afatgjate e Kosovës.
“Mbetemi të përkushtuar që të përkrahim rrugëtimin euroatlantik të Kosovës dhe zhvillimin e një shoqërie shumetnike demokratike. Gjatë vizitës së javës së kaluar Ministria e Jashtme e jona e ka bërë riafirmimin e këtij synimi, mirëpresim zgjedhjet e fundit, vëzhguesit ndërkombëtarë e kanë cilësuar si paqësor dhe konkurrues dhe ne mirëpresim qeverinë e re që të bashkëpunojmë me të”, ka deklaruar ai.
Eckersley ka shtuar se si përkrahëse e shtetësisë së Kosovës, e mirëpresin njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Kenia, teksa i inkurajoi të gjitha shtetet që s’e kanë bërë një gjë të tillë, ta bëjnë sa më shpejt.
“Si përkrahëse e shtetësisë së Kosovës, e mirëpresim njohjen së voni të Kenias, duke i shtuar numrin e shteteve njohëse inkurajojmë të gjithë ata që s’e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, ta bëjnë këtë sa më shpejt”, theksoi ai.
Më tej, përfaqësuesi britanik i kërkoi Serbisë sjelljen para drejtësisë autorët e sulmeve të KFOR-it, atij në Banjskë dhe të bashkëpunojë me Kosovën për t’i identifikuar kryesit e sulmit në kanalin e Ibër-Lepencit.
Përfaqësuesja speciale e sekretarit të përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë, shefja e UNMIK-ut, Caroline Ziadeh, ka deklaruar se qeveria e re e Kosovës është e rëndësishme për të bërë hapa konkretë për mirëqenien e popullit të Kosovës, si dhe implementimin e zotimeve që janë bërë nga dialogu i lehtësuar nga BE-ja.
Ajo ka thënë se shpreson se qeveria e re do të formohet shpejt pas zgjedhjeve që janë mbajtur më 9 shkurt.
“Pasi të formohet qeveria e re është e rëndësishme për të bërë hapa konkretë për mirëqenien e popullit të Kosovës, si dhe implementimin e zotimeve që janë bërë nga dialogu i lehtësuar nga BE-ja”, tha ajo.
Ziadeh gjatë adresimit të saj ka kujtuar kryetarin e Shoqatës së Personave të Pagjetur, Bajram Çerkini, i cili vdiq më 24 shkurt. Ajo ftoi palët që të shfrytëzojnë Komisionin e përbashkët për të pagjeturit të krijuar përmes dialogut Kosovë-Serbi në Bruksel.
“Inkurajoj të gjitha palët që të shfrytëzojnë këtë komision të përbashkët bashkërisht me grupin ekzistues për personat e pagjetur për të ecur më tutje për të zbardhur fatin e më të dashurve të tyre. Në këtë kontekst dua të kujtoj vdekjen e Bajram Çerkinit, babai i një djali të zhdukur me forcë që i ka kushtuar dekada jete avokimit për të drejtën për të ditur, përpjekjet e të cilit kanë prekur shumë komunitete e etni dhe kanë qenë mishërim i humanizmit”, ka thënë Ziadeh.
E ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriq, ka folur “për persekutim të serbëve” në Kosovë. Po ashtu është ankuar “për shkelje” gjatë zgjedhjeve të 9 shkurtit, duke thënë se Listës Serbe i është marrë një ulëse në Kuvendin e Kosovës.