Kryeparlamentari Glauk Konjufca ka thënë se një kushtëzim i mundshëm me formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, për anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës, do të ishte i pandershëm.
Të martën, Asambleja Parlamentare pritet të votojë mbi raportin për pranimin e Kosovës në këtë organizatë. Konjufca ka thënë se është optimist, ndërsa ka përsëritur se kushti i vetëm për Kosovën ka qenë respektimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për pronat e Manastirit të Deçanit.
“Bakoyannis ka thënë se Kosova e ka vetëm një kriter për anëtarësim e ajo është çështja e pronave të Manastirit. S’ka kushte tjera shtesë. Nëse shtetet tjera duan të vendosin kushte shtesë, mendoj se është e papranueshme, dëmtim i qëllimshëm i Republikës së Kosovës dhe interesit të saj dhe s’është e mirëpritur kur vetë KiE na ka mirëpritur, kur vetë Bakoyannis thotë se është vetëm ky kusht e dikush tjetër të nxjerrë kushte. Aktualisht po them që Kosova do t’i qëndrojë vetëm asaj që e shohim si shkronjë në raportin e zonjës Bakyoannis. Ai s’thotë asgjë për Asociacionin para anëtarësimit, por pas anëtarësimit. KiE ka thënë se do ta formojë një komision monitorues për Kosovën sa u përket hapave të mëtutjeshëm në implementimin e atyre që quhen marrëveshje ekzistuese me Serbinë, ndër të cilat mund të jetë Asociacioni”, ka thënë Konjufca pas fjalimit në Forumin për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.
Disa amendamente janë propozuar në raportin e Bakyoannisit, përfshirë që Asociacioni të jetë parakusht, por këto janë hedhur nga komitetet. Asociacioni është zotim pas pranimit. Sipas Konjufcës, kushtëzimi me Asociacion do të ishte në interes të emisarit për dialogun, Miroslav Lajçak.
“Ajo mund ta kishte shkruar se pa asociacion s’mund të pranohemi. Atëherë pse dikush duhet të na ngarkojë me diçka më shumë se që na ka ngarkuar ajo dhe KiE. Kjo do të ishte për interesa të zotit Lajçak, dhe proceseve që ai s’ka mundur t’i përmbyllë e përfundojë e me na qitë në qafë edhe disa kritere shtesë që janë të pandershme”, ka thënë Konjufca.