Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë se me vdekjen e Ismail Kadaresë letërsia shqipe humbi një nga kolosët e saj më të veçantë, ndërsa kultura shqiptare mbeti pa ambasadorin e vet më të shquar.
“Vepra e Ismail Kadaresë, përveç vlerave letrare e artistike të nivelit botëror, për ç'gjë u përkthye, u lexua e u nderua anë e kënd botës, ajo do të mbetet enciklopedia më e plotë e shpirtit, etnosit dhe identitetit shqiptar. Kadare ishte jo veç krijuesi i veprave monumentale në letërsinë tonë, por edhe qëmtuesi dhe kultivuesi më pasionant i gjuhës shqipe””, ka shkruar Konjufca në Facebook.
Tutja ai ka shkruar se si trasues i traditës së rilindasve, Kadare ishte një flamurtar i palëkundshëm i shqiptarizmës në prozën, poezinë dhe eseistikën e tij.
“Ai do të mbetet mbrojtësi më i madh i identitetit evropian të shqiptarëve. Ismail Kadare sot na la fizikisht, por ai do të jetojë në mendjen dhe shpirtin e lexuesve të tij përgjithmonë. Vepra e tij do mbetet e pavdekshme. Ngushëllimet më të sinqerta zonjës Helena Kadare dhe familjes Kadare! Ngushëllime gjithë lexuesve dhe adhuruesve të librave të tij! Ngushëllime mbarë kombit shqiptar!”, ka shkruar Konjufca.
Krasniqi: Kadareja la gjurmë të pashlyeshme në të gjithë botën letrare
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se shkrimtari Ismail Kadare, i cili vdiq sot, ka lënë gjurmë të pashlyeshme në të gjithë botën letrare.
Sipas Krasniqit, Kadareja ka qenë zëri që i bëri jehonë thellësive të historisë e kulturës.
“Ismail Kadare ishte më shumë se një shkrimtar; ai ishte mishërimi i krenarisë shqiptare, fanar i identitetit tonë kombëtar dhe kampion i trashëgimisë sonë letrare dhe kulturore. Prehu në paqe i dashur Ismail Kadare. Fjalët tuaja do të tingëllojnë përgjithmonë në zemrat tona dhe trashëgimia juaj do të vazhdojë të frymëzojë brezat që do të vijnë. Faleminderit që na dhatë dhuratën e tregimit tuaj të jashtëzakonshëm. Do të na mungosh thellësisht, por nuk do të harrojmë kurrë”, ka shkruar ai në Facebook.
Abdixhiku: Kryeveprat e Kadaresë, vlera universale që kapërcejnë kufijtë nacionalë
Për vdekjen e Kadaresë një telegram ngushëllimi e ka dërguar edhe kryetari i Lidhjes Demokratike e Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku.
“Sot bota shqiptare u zgjua në zi. U nda nga jeta Ismail Kadare, shkrimtari i përmasave ndërkombëtare, ai i cili për shumë dekada i dha letërsisë shqipe dhe asaj botërore kryevepra, që do mbesin gjithmonë referenca për kulturën dhe letërsinë, si vlera universale që kapërcejnë kufijtë nacionalë. Kolosi Ismail Kadare, përmes veprave të tij, i ka dhënë nder e dinjitet të përbotshëm artit, kulturës dhe gjuhës shqipe”, thuhet në komunikatën e LDK-së.
Tutje thuhet se Kadare ka paraqitur tablonë e errët nëpër të cilën ka kaluar Shqipëria komuniste, vuajtjet, sakrificat, por edhe vlerat e mirëfillta shqiptare. “Ai përmes mijëra faqeve të shkruara ka promovuar traditën dhe kulturën shqiptare në botë, duke i dhënë një vlerë të shtuar jo vetëm letërsisë shqipe, por edhe mbarë kontinentit dhe më gjerë. Kadare do të mbetet ikonë e letërsisë, mjeshtër i papërsëritshëm, një intelektual i shquar, një patriot i përkushtuar dhe një zë i fuqishëm që përfaqësonte denjësisht Shqipërinë në botë. Nga sot Shqipëria dhe bota e letërsisë humbën një personalitet të madh, i cili u shua vetëm fizikisht por vepra e tij është e përjetshme; siç dhe emri e kontributi i tij në kulturën dhe letërsinë botërore do të mbetet i përjetshëm”, thuhet në komunikatë.
Tutje thuhet se në emër të Lidhjes Demokratike të Kosovës, “kujtojmë me mirënjohje angazhimin e tij të palodhshëm për çështjen e Kosovës, kontributi i të cilit është i paçmueshëm”.
Haradinaj për Kadarenë: Ky emër do t'i jetojë epokat
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se Ismail Kadare ngërthen në vete krejt vlerat më të larta që mund t'i ketë njeriu.
Pas lajmit për vdekjen e Kadaresë, Haradinaj ka thënë se ai letërsinë e një kombi të vogël e futi në analet e letërsisë së përbotshme.
Sot nuk ka emër më të madh ndër shqiptarë, se sa emri Ismail Kadare. Jo vetëm se ai mbetet emblema e letërsisë, e krijimtarisë dhe e krenarisë shqiptare, por sepse ishte shqiptari më i famshëm në Glob. Njeriu që e lartësoi Kombin, që e lartësoi Shqipërinë, që lartësoi Kosovën dhe që letërsinë e një kombi të vogël e futi në analet e letërsisë së përbotshme. Ne sot e kemi humbur gjeneralin e letrave shqipe, e kemi humbur ambasadorin e krijimtarisë shqiptare në Botë, e kemi humbur Ismail Kadarenë, emri i të cilit i ngërthen në vete krejt vlerat më të larta që mund t'i ketë njeriu! Ky emër do t'i jetojë epokat! Lamtumirë Mjeshtër!”, ka shkruar Haradinaj.
