Arbëri

Konjufca ia tërheq vërejtjen deputetit të pushtetit: Fushata fillon në janar

Kryekuvendi Glauk Konjufca

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Korenica, ka kërkuar që çështja e shamisë në shkolla të trajtohet nga Kuvendi i Kosovës, ndërsa ka përmendur rastin e një nxënëseje të shkollës së mesme në Pejë të cilës i është ndaluar pjesëmarrja në mësim për shkak të shamisë që mban.

 Ai ka thënë se deputetët kanë përgjegjësi dhe se nuk ka kuptim të votohet për çështje të tjera derisa nuk trajtohet ky rast.

Korenica ka folur jashtë rendit të ditës në seancën plenare të Kuvendit të enjten. E, për këtë, atij i është tërhequr vërejtja nga kryeparlamentari.

“Nuk kam ndonjë hapësirë tjetër për ta marrë fjalën por dua ta ngreh një shqetësim aktual. Të njëjtin shqetësim e kam ngritur edhe vitin e kaluar dhe më vjen keq që sot ministrja e Arsimit nuk është në Kuvend, megjithatë duhet ta dini që ka katër javë që një vajzë nuk po vijon procesin mësimor në Pejë dhe është e moshës madhore. I ka 18 vjet, çdo të dytën ditë paraqitet në shkollë dhe përjashtohet nga drejtori Musa Nikçi. Nuk e kuptoj që sa e drejtë është të qëndrojmë ne këtu si deputetë ju si kryekuvendar por edhe ministrja e Arsimit dhe të mos merret me rastin dhe t’i japë të drejtën vajzës të shkojë në shkollë. Ne e kemi këtë përgjegjësi kolektive këtu. Nuk ka kuptim te vazhdojmë me procesin e votimit dhe të mos merremi dhe të mos e trajtojmë këtë rast dhe të jepet e drejta siç e kanë të gjithë fëmijët tjerë për shkollim dhe arsimim”, ka thënë Korenica.

Kryekuvendari Glauk Konjufca ia ka tërhequr vërejtjen duke i thënë se këtë shqetësim e të tjera mund t’i ngreh gjatë fushatës zgjedhore e jo tash.

“Unë si kryetar i Kuvendit meqë po kërkon me qenë profesional më duhet të ta tërheq vërejtjen që ishe jashtë rendit të ditës. Besoj që fushata fillon kah 16 janari dhe e keni gjithë kohën e mjaftueshme të ngrisni të gjitha problemet”, ka thënë Konjufca.

Korenica pas seancës ka reaguar edhe në Facebook. Ai ka thënë se nuk do të marrë pjesë në asnjë votim pa u kthyer nxënësja në shkollë. Ndërsa, në përgjigje të Konjufcës, Korenica ka thënë se nuk bën fushatë me bindjet që ai ka. 

“Sot në seancën e Kuvendit të Republikës së Kosovës, kërkova që të mos vazhdohet me seancë pa u kthyer në shkollë një vajze mbi 18 vjeçare, e cila është larguar padrejtësisht që nga 1 shtatori. Udhëzimi administrativ është i jashtëligjshëm, qeveria është përgjegjëse për ndryshimin e tij. Besoj deri sot e kam dëshmuar që nuk bëj fushatë me bindjet e mija”, ka shkruar Korenica.