Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka deklaruar se Bashkimi Evropian po e trajton Kosovën si jo shtet, duke thënë se qasja e BE-së është diskriminuese.
Sipas Konjufcës, Kosova duhet të mbrojë të drejtën e vet deri në fund dhe të ulet me BE-në “dhe të qartësojë deri në fund se kush e ka kompetencën”, derisa ishte duke folur për çështjen e themelimit të Asociacionit.
Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, Konjufca ka thënë se Kosova mund të jetë vonuar për draftstatutin e Asociacionit, por sipas tij, s’ka pasur periudhë kohore.
“Kosovës i garantohet e drejta për me paraqit një draftstatut të Asociacionin. BE-ja mundet me na kritiku me thanë ‘jeni vonuar shumë’ por ne mund të themi se a ka pas afat?. Është qasje diskriminuese e BE-së që bën dhe e trajton Kosovën si jo shtet. Kosova duhet të mbrojë të drejtën e vet deri në fund e të ulet me BE-në dhe të qartësojë deri në fund kush e ka këtë kompetencë, Kosova apo BE-ja. Unë mendoj se e Kosova. A jemi vonuar a s'jemi, ne ashtu kështu jemi nën masat e BE-së. Mjafton kjo që jemi vonuar, por vonesa s'mund t'i marrë kompetencat...”, ka thënë ai.
Konjufca ka shtuar të hënën para mediave se Kosova po kushtëzohet nga Bashkimi Evropian.
“Unë mendoj që gjithkush që mendon që drafti që i është dorëzuar...nëse mendon ndokush që ky është një dokument përfundimtar i cili për Kosovën është merre ose leje i bie që Kosovës i është marrë një ingirencë shumë shtetërore që e ka të garantuar edhe me procesin e dialogut edhe madje me kushtetutë...”, është shprehur kryeparlamentari.
“Mua nuk në duket qe do të ketë masa shtesë. Por çështja është si t’i heqim ato ekzistuese që i kemi. Tashmë janë shtuar edhe zërat brenda BE-së që masat duhet të hiqen. Masat i kemi tash e një kohë por rezultatet që i shihni.. ne jemi në një situatë kur Serbia e ka hedhur poshtë Marrëveshjen e Ohrit. Për Serbinë Marrëveshja e Ohrit e ka emrin vetëm Asociacion i Komunave dhe ajo nuk do t’i zbatojë pikat e tjera. Prej letrës së Brnabiqit e deri te sulmi i Banjskës këto ia kanë shpallë vdekjen Marrëveshjes së Ohri. Tash çka është faji i Kosovës?”, ka shtuar tutje Konjufca, duke folur për masat e BE-së ndaj Kosovës.
LEXO EDHE:
Tahiri: Qeveria e ka kthyer Kosovën prapa
Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka deklaruar se Qeveria Kurti e ka kthyer Kosovën prapa, duke u shprehur se gjatë këtij mandati s’e ka kryer asnjë punë.
Ai ka thënë të hënën pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit se dështimet, Qeveria po i mbulon me temën e Asociacionit, veriut dhe të urës.
“Kjo qeveri dhe kjo shumicë le që e ka kthyer Kosovën prapa, por i ka dhënë goditjen më të madhe si në aspektin e forcimit të brendshëm, po ashtu edhe dëmtimin e vetë të subjektivitetit ndërkombëtar...Po flasim për standard të dyfishtë, e paparë të mashtrimit që kurdo që duhet të diskutohen çështjet e mirëqenies, kthehemi te ura, te Asociacioni e te veriu, pasi s'kanë çka të flasin tjetër send”, ka theksuar Tahiri.
Sipas Tahirit, kryeministri Albin Kurti po i ikën ballafaqimit në Kuvend “pasi s’ka asnjë arritje”.
Tahiri: Do të ketë qeveri të re që do ta nxjerrë Kosovën nga sanksionet
Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, ka thënë se pas zgjedhjeve parlamentare do të ketë qeveri të re që do ta nxjerrë Kosovën nga sanksionet dhe do t’i hapë vendit perspektivë.
Ai ka thënë të hënën se qëndrimet e kryeparlamentarit Glauk Konjufca për Asociacionin e komunave me shumicë serbe janë vetëm qëndrime elektorale “në prag të zgjedhjeve”.
“Vendi do të ketë qeveri të re që do ta nxjerrë vendin nga sanksionet, do t'i kthejë fondet e anëtarësimit dhe do t'i hapë vendit perspektivë. Këto janë qëndrime në prag të zgjedhjeve, që edhe pse janë elektorale, nuk i sjellin benefite VV-së dhe Qeverisë së Kosovës”, ka thënë Tahiri.
Ai është shprehur se PDK-ja ka në plan të ftojë një seancë të Kuvendit për të diskutuar mundësinë e ndërhyrjes së Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI) në disa gazetarë.
...”Të mërkurën do të kemi një debat për migrimin masiv të qytetarëve. Atë e konfirmon edhe regjistrimi i popullsisë”, ka shtuar ai.
“Sa i përket vizitës së Von der Leyen ju e pat dallimin e madh në qëndrimet e saj në Republikën e Shqipërisë dhe të Kosovës. Përderisa atje e konfirmon agjendën evropiane dhe përfitimin e fondeve, në anën tjetër që kërkesa e kryeministrit ishte heqja e masave”, ka theksuar Tahiri.
Në anën tjetër, shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka thënë se në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit diskutuan që gjatë javës të mbahen dy seanca, por shtoi se “mbetet të shihet nëse VV-ja i ka votat e nevojshme për t’i kaluar vendimet që merren me shumicë të thjeshtë”.
“...Sa i përket marrëveshjeve ndërkombëtare, LDK-ja e konfirmon se do t’i përkrahë. Mbetet të shihet gjatë kësaj jave nëse nuk ka fuqi vendimmarrëse Kuvendi, përgjegjësia mbetet mbi kryeministrin”, ka shtuar ai.
“Patjetër që do të rrimë në seancë, patjetër qe do të debatojmë, patjetër që do të propozojmë...Në fund do të shohim se çfarë buxheti është...”, ka shtuar Gashi i pyetur për votimin e buxhetit.