Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka deklaruar se pasiguria në rajon ka dy burime kryesore: agresionin rus në Ukrainë dhe mospajtueshmërinë e Serbisë me kufijtë e saj, përkatësisht ambicien për zgjerim territorial.
Kështu ka deklaruar ai në takimin e zhvilluar të enjten me të dërguarin e Sllovenisë për Ballkanin Perëndimor, Anzej Franges.
“U diskutua po ashtu për gjendjen në të cilën ndodhet dialogu Kosovë-Serbi, përkatësisht nevojën që BE-ja të bëjë më shumë që Serbia t'i rikthehet Marrëveshjes së Brukselit si korniza bazë për normalizimin e raporteve mes dy shteteve“, thuhet në njoftimin e lëshuar nga Kuvendi.
Tutje thuhet se Franges shprehu qëndrimin e tij se Sllovenia, por edhe BE-ja duhet të njohin më shumë perspektivën se si palët, përkatësisht ajo e Kosovës, i shohin gjërat në mënyrë që kjo të reflektojë edhe në qasjen më adekuate të faktorit ndërkombëtar kundrejt zhvillimeve në raportet mes Kosovës dhe Serbisë.