Arbëri

Konjufca: 9 shkurti qartëson nëse do të qeveriset me shqiptarizëm apo bashkë me Beogradin

Në disa qytete brenda e jashtë Kosovës ka qenë i ndarë aktiviteti politik i Lëvizjes Vetëvendosje në ditën e 13-të të fushatës zgjedhore. Tubime elektorale ky subjekt ka pasur me gratë në Gjilan dhe në Pejë, me qytetarë te lagjja Kodra e Diellit në Prishtinë si dhe me bashkatdhetarë në Cyrih të Zvicrës. Nga Prishtina, kandidati i LVV-së për deputet, Glauk Konjufca, u tha se në zgjedhjet e 9 shkurtit do të qartësohet dilema nëse do të qeveriset me shqiptarizëm e kombëtarizëm shqiptar, apo bashkë me Beogradin

Karriget e planifikuara për pjesëmarrësit në tubimin e Lëvizjes Vetëvendosjes në lagjen “Kodra e Diellit” në Prishtinë nuk qenë të mjaftueshme për të interesuarit, e si alternativë për t’u ulur shërbyen shkallët e shkollës fillore “Ismail Qemali”.

Krahas kapelave të kuqe, pjesëmarrësve iu shpërndanë edhe pankarta me numrin e LVV-së në zgjedhjet e 9 shkurtit dhe ato me emrin e kandidatit për kryeministër.

Për kandidatin për deputet të LVV-së, Glauk Konjufca, ngjarja qe rikthim në shkollën e dikurshme. E mësimdhënësve të dikurshëm dhe të pranishmëve të tjerë, Konjufca iu tha se në zgjedhjet e 9 shkurtit Kosova ndodhet në një udhëkryq.

“Të gjithë po e dimë që këtu nuk është thjesht çështja se kush del në vend të parë në zgjedhje. Vendin e parë Vetëvendosjes tash po ia pranojnë edhe kundërshtarët politikë. Çështja nuk është kush del i parë sivjet. Çështja është kjo, a do të qeverisë në Kosovë mbas 9 shkurtit shqiptarizmi dhe kombëtarizmi shqiptar, a do të qeverisë bashkë me Beogradin. Kjo është dilema, kjo është udhëkryqi që ka për t’u qartësuar më 9 shkurt”, ka thënë ai.

Konjufca u shpreh i bindur që qytetarët do ta përkrahin vazhdimin e qeverisjes së LVV-së dhe se nuk do ta kthejnë Kosovën në vitin 2017, kur për formimin e qeverisë partitë aktuale opozitare kanë qenë “të varura nga votat e deputetëve të Listës Serbe”.

“Qytetarët edhe një herë do të bashkohen fort, do të bashkohen fuqishëm, masivisht në të gjitha anët e Kosovës që VV-ja të vazhdojë qeverisjen, sepse nëse kjo rrugë ndërpritet, atëherë do të kthehet çështja e Kosovës në vitin 2017. E në vitin 2017 ju e patë çka patën për të bërë. E qitën Kosovën në tavolinë për ta prerë. Faktikisht kufiri të ishte lumi Ibër. Ajo nuk do të ndodhë sepse ky popull shumë ka hequr”, është shprehur kandidati për deputet i LVV-së.

Konjufca ka shtuar se qeverisja e LVV-së ka qenë e bazuar në dy shtylla: në sovranitet dhe në bërje të shtetit social. “Gjëra të cilat, këta, opozita, jo që nuk i kanë bërë por nuk i kanë pasur në asnjë program të tyre prej viti 2001. Pra, shteti gjithnjë e më social, prej shtesave të fëmijëve”, ka theksuar Konjufca.

Për veprimet e Qeverisë ka folur para të pranishmëve edhe kandidatja tjetër e LVV-së për deputete, Mimoza Kusari-Lila. Ajo ka thënë se partitë e tjera janë duke i përfshirë në programet e tyre zgjedhore masat, të cilat i kanë konsideruar si lëmoshë kur ato janë prezantuar nga Ekzekutivi.

“Ata filluan që të gjitha ato që i quanin ‘sadaka’, sa herë që prezantoheshin skema të reja, nga mbështetja për lehonat, nga mbështetja për fëmijë deri në 16 vjeç, nga iniciativat për familjet të cilat janë në nevojë dhe skema mbështetëse, në veçanti për kategoritë e cenueshme, për energjinë elektrike dhe të gjitha kategoritë e tjera, e duke përfshirë pensionistët, ata filluan tani në fushatë elektorale t’i përdorin të njëjtat skema, por tash, si gjithmonë, siç nuk e kanë pasur ndjeshmërinë për buxhetin për arsye se i kanë vjedhur, tash po i dhjetëfishojnë ato skema”, ka thënë ajo.

Kusari-Lila ka theksuar se në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit në garë janë dy liga - ajo e Vetëvendosjes dhe e të gjitha partive të tjera opozitare.

“Është Lëvizja Vetëvendosje me listën e vet fituese, në të cilën duhet ta rikonfirmojë dhe ta rrisë atë mbështetje të cilën e mori në vitin 2021, më 14 shkurt, ndërsa në ligën tjetër janë krejt ata të tjerët bashkë, të cilët edhe ashtu bashkë edhe nuk po mund t’ia arrijnë ose të mbërrijnë në nivelin e mbështetjes, e natyrisht as edhe të programit të cilin LVV-ja e udhëhoqi për katër vjet suksesshëm, për katër vjet në krye me kryeministrin Albin Kurti”, ka theksuar ajo.

E në kohën sa tubimi në Prishtinë po zhvillohej, në Cyrih të Zvicrës ka nisur një tjetër. Ai me bashkatdhetarë i kandidatit të LVV-së për kryeministër, Albin Kurti. Krahas në Prishtinë dhe Cyrih, përfaqësues të LVV-së të enjten kanë zhvilluar tubime me gra edhe në Gjilan dhe në Pejë.