Zgjedhjet parlamentare e presidenciale në Serbi e kanë konfirmuar fuqinë politike të Aleksandar Vuçiqit, por edhe faktorizimin e së djathtës ekstreme. Partia Progresive ka fituar gati gjysmën e vendeve në parlament, por jo mjaftueshëm për të qeverisur me koalicionin parazgjedhor.
Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar (KNSH), Ragmi Mustafi, e ka pranuar se e djathta ekstreme ka shënuar rritje të dukshme në Serbi, dhe se gjuha që përdor ky grupim politik, sipas tij, është shqetësuese.
“Serbia gjithnjë po shkon nga e djathta ekstreme, sepse nga partitë e majta, tri prej atyre që u janë djegur votat, dy prej tyre i takojnë taborit të majtë, ndërkaq mbetet një numër shumë i vogël i votave që kanë shkuar për të majtën. Përderisa e djathta është në një rritje eksponenciale, është në një rritje jashtëzakonisht të madhe me një gjuhë fashiste, e cila madje është përjashtuese dhe ksenofobe ndaj pakicave”, ka thënë Mustafi.
Analisti politik, Dushan Janjiq, rezultatin e Vuçiqit nuk e konsideron të befasishëm, mirëpo thotë se partia e tij nuk mund ta formojë qeverinë pa koalicion me përfaqësuesit e pakicave.
“Është e sigurt se koalicioni i Partisë Progresive ka më pak vende në Kuvend sesa në legjislaturën e kaluar. Numri i ulëseve të kësaj partie në rezultatet që kemi është 119, përderisa Kuvendi ka 240 ulëse. Kjo tregon se kjo parti nuk mund të qeverisë me koalicionin aktual. Ka shumë spekulime se si do të veprohet, por ai (Vuçiqi v.j.) duhet ta zgjerojë koalicionin. Është e sigurt se hungarezët dhe boshnjakët mund të përfshihen e për të tjetër nuk është e sigurt”, ka deklaruar ai.
Sipas Janjiqit, bazuar në numrat e fundit, Serbia ka favorizuar ekstremin e djathtë. Për këtë ai e fajëson politikën e Vuçiqit dhe të mbështetësve të tij.
“Vuçiqi e tha këtë dhe është e vërtetë, krahasuar me zgjedhjet e kaluara. Kjo nuk ndodhi pa arsye. Ky është një rezultat i politikave të Vuçiqit. Ai vetë e tha mbrëmë se është gati të marrë pjesën e përgjegjësisë për faktin se është një prej aktorëve kryesorë të kësaj çështjeje. Një pjesë e listës së të djathtëve ku zënë vend nacionalistët e neonazistët është krijuar nga partia e tij (Vuçiqit v.j.) dhe BIA që është Shërbimi Sekret i Serbisë. Nuk e dimë se si do të veprojnë, por shumica e kuvendarëve të ardhshëm do të jenë nacionalistë”, ka përfunduar Janjiqi.
Reagime pas zgjedhjeve në Serbi ka pasur edhe në Kosovë. Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se mentaliteti politik i Serbisë ndaj Kosovës nuk ndryshon, pavarësisht orientimit politik në Beograd.
“Pavarësisht a flasim për të djathtën apo të majtën, apo për qendrën, për fat të keq, vazhdon një mentalitet i viteve të 90-a, ku Serbia vazhdon t’i shohë shtetet e tjera në rajon, në veçanti Republikën e Kosovës, Malin e Zi, por edhe Bosnjë e Hercegovinën si shtete të përkohshme. Mirëpo, besoj që tashmë e kanë të qartë që të tria këto shtete janë shtete të përhershme dhe pavarësisht rolit destabilizues që Serbia si satelit i Rusisë, vazhdimisht e luan në rajonin tonë, askush nuk e ka ndërmend që të heqë dorë nga e drejta jonë për të ekzistuar si vend i lirë, sovran dhe i pavarur dhe i barabartë përtej”, ka thënë ajo në konferencën për media.
Serbia i ka mbajtur të dielën zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, dy vjet nga zgjedhjet që u bojkotuan nga opozita. Shqiptarët e Luginës së Preshevës që garuan me dy lista janë ende në betejë për të konfirmuar një deputet, të cilin shanset më të mëdha i ka ta fitojë lista e udhëhequr nga Shaip Kamberi dhe Koalicioni i Shqiptarëve të Luginës.