Me 370 vota në favor dhe 282 kundër Parlamenti Evropian ka konfirmuar sot në seancë plenare Komisionin e ri Evropian që përsëri në pesë vitet e ardhshme do të udhëhiqet nga presidentja e deritashme nga Ursula von der Leyen. Me këtë përmbyllet faza e tranzicionit institucional në BE dhe të gjitha strukturat udhëheqëse të Bashkimit Evropian do të jenë gati për të ushtruar mandatin e tyre.
Votimit në seancë plenare sot i ka parapri një debat në të cilin Ursula von der Leyen ka paraqitur edhe një herë ekipin e saj dhe ka folur për prioritetet që do t’i ketë Komisioni në pesë vjetët e ardhshme.
Von der Leyen është zotuar se do të punojë për një BE më të fortë, më të sigurt, më të gjelbër e cila do të jetë më konkurruese në skenën globale dhe do të kujdeset për qytetarët e saj. Ajo ka thënë se Komisioni i ri Evropian do të mbetet i përkushtuar për të vazhduar ndihmën për Ukrainën dhe për të quar përpara procesin e zgjerimit. Ka thënë se vendet kandidate, si ato nga rajoni i Ballkanit Perëndimor ashtu edhe Ukraina, Moldavia dhe Gjeorgjia, e kanë vendin e tyre në BE dhe Komisionerja e ardhshme e zgjerimit Marta Kos do të punojë që të realizohet qëllimi i integrimit të tyre në BE.
Presidentja e Komisionit Evropian ka thënë se në procesin e zgjerimit do të ruhet parimi i meritave individuale të vendeve kandidate që do të thotë se avancimi i tyre do të varet nga suksesi në reforma dhe në përmbushjen e kritereve që kërkon Bashkimi Evropian.
Para se të caktohej votimi për Komisionin e ri Evropian të gjithë kandidatët për komisioner kishin kaluar përmes seancave dëgjimore në Komisionet përkatëse dhe të gjithë kishin marrë mbështetjen. Kështu për herë të parë që nga viti 1999 asnjë kandidat për anëtarë të Komisionit Evropian nuk u refuzua nga Komisionet e Parlamentit Evropian. Kjo ka bërë që disa deputetë gjatë debatit të thonë se procesi i konfirmimit të Komisionit Evropian është një farsë, se rezultati varet nga tregtitë politike mes grupimeve partiake e jo në bazë të kualitetit të kandidatëve.
Me këtë votim është hapur rruga që Komisioni i ri Evropian të nisë mandatin të dielën më datën 1 dhjetor. Po të njëjtën ditë mandatin do ta nisë edhe Presidenti i ri i Këshillit Evropian Antonia Costa. Ai pritet që në ditët e para të mandatit, më saktësisht të martën me 3 dhjetor, të organizojë një darkë joformale me liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ky takim pritet të shërbej si rast që shefi i ri i Këshillit Evropian të njihet personalisht me liderët e vendeve të rajonit por edhe për të përgatitur një samit BE-Ballkani Perëndimor që do të zhvillohet me 18 dhjetor.