Në Gjykatën Penale në Bruksel është konfirmuar të martën, 28 janar, fajësia për dy të dyshuarit për vrasjen e aktivistit Enver Hadri. Këtë e ka bërë të ditur familja Hadri. Fajësia është konstatuar nga juria pas disa seancave që janë zhvilluar ku janë nxjerrë provat për përgjegjësinë e autorëve të vrasjes, Veselin Vukotiq dhe Andrija Drashkoviq. Këta, së bashku me Bozhidar Spasiq, ishin dënuar në vitin 2016 me burgim të përjetshëm por ishin ankuar.
Bozhidar Spasiq nuk është ankuar, që do të thotë se dënimi me burgim të përjetshëm për të mbetet në fuqi. Por ai, sikurse edhe dy vrasësit tjerë, nuk janë në duart e organeve të Belgjikës sepse Serbia nuk i ka dorëzuar. Edhe ky gjykim, sikur ai që ishte përmbyllur në vitin 2016, është duke u zhvilluar në mungesë pasi Serbia nuk i ka dorëzuar të akuzuarit në Belgjikë.
Teuta Hadri, e bija e Enver Hadrit, për vite ka insistuar në drejtësi për vrasjen e të atit. Ajo ishte 13 vjeçare kur Enver Hadrin në Bruksel në shkurt tw vitit 1990 e kishin vrarë kriminelët me porosi të shërbimit të zbulimit nga Beogradi. Sot ajo ka pikërisht moshën që babai i saj e kishte kur ishte vrarë.
Në mesin e dëshmitarëve në këtë gjykim kanë qenë edhe Xhavit Haliti dhe Xhafer Shatri, ish-disident kosovar nga periudha e ish-Jugosllavisë, ndaj të cilëve ka pasur po ashtu përndjekje nga shërbimet e zbulimit serb e jugosllav.
Ka pasur edhe të dyshuar tjerë që kanë marrë pjesë në ekzekutimin e Enver Hadrit para tashmë 35 vitesh. Por dy prej tyre janë vrarë më vonë në qërim hesapesh mes grupeve kriminale. Serbia asnjëherë nuk ka pranuar për t’i dorëzuar ata në Belgjikë për tu përballur me akuzat.
Gjykata e Belgjikës në vitin 2016 kishte konstatuar se Enver Hadri ishte vrarë nga grupet e krimit të organizuar të nëntokës që i përdorte shërbimi jugosllav i zbulimit dhe se kjo vrasje ishte me porosi me qëllime politike për shkak të aktivitetit të Hadrit në mbrojte të të drejtave të shqiptarëve në Kosovë.
Dosja e Enver Hadrit në Gjykatën e Belgjikës përmban dëshmi në më shumë se 3000 faqe.
Juria prej 12 anëtarësh që është formuar për këtë gjykim ka konstatuar se të dyshuarit janë fajtorë ndërsa tash do të caktohet edhe dënimi.