Arbëri

Komunitetet e harruara edhe në fushatë

*Teksti dhe storja janë përgatitur në kuadër të projektit “Dëgjonani"! Sfidat si varfëria, papunësia, diskriminimi e problemet me banim i kanë të kahershme e mjaft të shprehura pjesëtarët e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian. Por, atyre nuk u është kushtuar vëmendje në programet e partive kryesore politike. Në organizata që merren me të drejtat e komuniteteve thonë se romët, ashkalinjtë dhe egjiptianët zakonisht banojnë në hapësira të mbipopulluara dhe nuk janë pronarë të objekteve dhe parcelave ku jetojnë

Ergin Selimi jeton në fshatin Plemetin të Obiliqit, në një banesë të banimit kolektiv, e ndërtuar për njerëzit në nevojë.

Ai ankohet për kushtet e jetesës në këtë objekt, e për infrastrukturën e shkatërruar brenda godinës. Edhe oxhaku i ndërtesës është bllokuar, e banuesit kanë shpuar murin për të bërë zgjidhje.

“Probleme kemi me ujë, me rrymë, me myk, me lagështi. Besa vetë jam sëmurë nga lagështia. Që kur jemi futur në këtë ndërtesë në 2007-n, ne kemi problem me oxhaqe, me kanalizim, me të gjitha”, thotë Selimi.

Shpërthimi i gypave të ujit ka bërë që muret të mbulohen nga myku e pas bllokimit të rrjetit të kanalizimit, bodrumi i ndërtesës është përmbytur nga ujërat e zeza.

Violeta Thaçi është menaxhere e programit të banimit në organizatën Zëri i Romëve, Ashkalinjve dhe Egjiptianëve (VoRAE). Ajo thotë se, përpos problemeve me kushtet brenda shtëpive dhe banesave, pjesëtarët e tri komuniteteve zakonisht jetojnë në hapësira të mbipopulluara dhe nuk janë pronarë të objekteve dhe parcelave ku jetojnë.

“Familjet e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian janë goxha të mëdha dhe për arsye të varfërisë këto familje nuk i kanë ato mundësitë financiare të bëjnë ndonjë zgjerim të banimit. Zgjerimi nënkupton blerjen e një prone të re që të ndërtohet në të apo të blejnë ndonjë apartament”, thotë Thaçi.

Në hapësirën ECR që KOHA ua ka ofruar qytetarëve për të treguar se cili është problemi më i madh i pjesëtarëve të të tria komuniteteve, 34 për qind e atyre që u përgjigjën e zgjodhën diskriminimin, 33 për qind papunësinë e 7.4 për qind mungesën e strehimit.

Naim Jakaj është hulumtues në Institutin për Drejtësi dhe thotë që partitë e mëdha politike nuk kanë paraparë masa në programet e tyre që si cak kanë specifikisht përmirësimin e jetës së komuniteteve të margjinalizuara.

Ai thotë se interesim për ta nuk u shpreh as gjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare që do të mbahen të dielën.

“Nuk kemi parë se si një kryetar i një subjekti politik ose edhe kryeministri i tanishëm që pretendon të jetë edhe i ardhshëm, t’i ketë vizituar këto komunitete se si jetojnë dhe si përballen me jetën e përditshme”, thotë Jakaj.

Sipas tij, edhe pas zgjedhjeve nuk pritet ndonjë ndryshim i madh në qasje, meqë thotë se çështjet që janë për komunitete, partitë e mëdha ua lënë partive që i përfaqësojnë ato. E këto subjekte nuk kanë kapacitetet e as pushtetin që të bëjnë ndryshime përmbajtjesore në jetesën e qytetarëve që përfaqësojnë.

“Do të duhej që partitë politike të cilat e marrin qeverinë dhe qeverisin me vendin për katër vjetët e ardhshëm potencialisht t’i kushtojnë rëndësi më shumë, në mënyrë që ta transformojnë jetën e këtyre qytetarëve të Kosovës, sepse ata janë qytetarë të këtij vendi dhe nuk janë votues të një partie dhe tanimë të mos merremi me ta”, thotë Jakaj.

Mbështetjen institucionale të deritanishme për pjesëtarët e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, 60 për qind të pjesëmarrësve në pyetësorin e KOHËS e kanë konsideruar të dobët. E 49.5 për qind të atyre që u përgjigjën, mendojnë që qeveria e re nuk do t’i pasqyrojë nevojat e komuniteteve.

Regjistrimi i popullsisë, i kryer vitin e kaluar, ka treguar se Kosova ka 16 mijë e 207 ashkalinj, 10 mijë e 581 egjiptianë e 8 mijë e 730 romë.

Më së shumti ashkalinj ka në Ferizaj, afër 1 mijë e 800, romë në Prizren 1 mijë e 40 dhe egjiptianë në Gjakovë 2 mijë e 343.