Arbëri

Komunës së Suharekës i bllokohet llogaria bankare

Bali Muharemaj

Kryetari i Suharekës, Bali Muharremaj ka kritikuar Qeverinë e Kosovës se i janë bllokuar kësaj komune llogaritë bankare.

Për këtë ka reaguar ministri i Financave, Hekuran Murati, i cili këtë kritikë e ka quajtur “dezinformatë”.
Muharremaj i bën thirrje Kuvendit të Kosovës që të veprojë urgjentisht “ngase situata e vështirë financiare do të rëndohet edhe më shumë”.

“Sot zyrtarisht jemi njoftuar nga institucionet e nivelit qendror, që na kanë bllokuar qasjet për të gjithë zyrtarët financiarë për ne si Komunë e Suharekës, derisa të procedohen vendimet gjyqësore/përmbarimore. Ky bllokim ka ndodhur si pasojë e kontratës kolektive. Kjo situatë, siç është paralajmëruar edhe nga Asociacioni i Komunave, do të vazhdojë edhe në komunat tjera nëse nuk merren masa të menjëhershme, si pasojë e kontratës kolektive. Ne kemi obligime financiare për projektet që i kemi planifikuar, dhe nuk duhet të mbesim peng i një marrëveshje të cilën duhet ta zbatojë Qeveria e Kosovës, e ku pasojat tashmë po i bartim ne si komuna”, ka shkruar Muharremaj në Facebook.

Derisa ministri Murati ka shkruar se llogaritë bllokohen nga përmbaruesit dhe vendimet e prera gjyqësore.

“Dezinformatat nuk kalojnë. Kushdo që pretendon se Qeveria bllokon llogari të komunave, gënjen. Qeveria nuk bllokon llogari, e aq më pak komunave. Llogaritë bllokohen nga përmbaruesit dhe vendimet e prera gjyqësore”, ka shkruar Murati në Facebook.