Rreth 1 miliard euro janë projektuar në draftbuxhetin e 2025-tës për investime kapitale. Komunat e drejtuara nga opozita kanë akuzuar Qeverinë se, nëpërmjet ndarjes buxhetore, janë diskriminuar, meqë shuma e ndarë kryesisht ka të bëjë me projektet e nisura prej vitesh. Por, të kundërtën e kanë thënë në komunat që udhëhiqen nga partia në pushtet
Komunat që qeverisen nga partitë që në nivel qendror përbëjnë opozitën, janë ankuar se me projektbuxhetin e 2025-tës, Qeveria nuk ka ofruar mbështetjen e nevojshme për projekte kapitale.
Rreth 1 miliard euro janë projektuar në draftbuxhet, për investime kapitale. Nga to, 46 milionë janë paraparë për Prishtinën, e cila drejtohet nga LDK-ja.
Nënkryetari Alban Zogaj ka thënë se kryeqyteti nuk ka pasur mbështetjen e Qeverisë në këtë mandat.
“Shuma e ndarë për investime kapitale prej 46 milionë eurosh, nuk është e mjaftueshme aspak për një qytet si Prishtina. Ne e themi vazhdimisht, Qeveria e Kosovës i ka ndarë 0 euro për Prishtinën, përveç asaj që i takon me ligj, që janë në fakt paratë e taksapaguesve të Prishtinës. Kjo shumë nuk është e mjaftueshme, sepse kryeqyteti ka shumë nevoja, shumë kërkesa dhe kjo është një shumë shumë e vogël”, ka deklaruar Zogaj.
Komuna e dytë që ka përfituar më shumë nga buxheti për investime kapitale, është ajo e Prizrenit, me afro 20 milionë euro, pastaj janë Gjakova e Peja me nga 14 milionë euro, e Ferizaj me 12.4 milionë euro.
Në Komunën e Ferizajt, e cila udhëhiqet nga PDK-ja, kanë thënë se në projektbuxhet është vetëm një projekt i ri, ndërsa shuma tjetër është për projekte të nisura prej vitesh.
“Për buxhetin për vitin 2025, janë projekte në vazhdimësi që kanë qenë nga viti 2018, domethënë që do të financohen. Është vetëm restaurimi i Xhamisë së Madhe dhe nuk ka ndonjë projekt më të madh kapital. Projektet e tjera, janë projekte të tjera, të filluara nga viti 2018”, ka thënë Selim Marevci, shef i kabinetit të kryetarit të Ferizajt.
Por, vlerësim tjetër për ndarjet buxhetore kanë në komunat që drejtohen nga Vetëvendosja, e cila udhëheq me Qeverinë.
Në Komunën e Podujevës kanë thënë se shuma e paraparë për vitin 2025, është e mjaftueshme.
“Në kategorinë e investimeve kapitale janë dedikuar rreth 9.3 milionë euro apo rreth 600 mijë euro më shumë. Këto mjete do të mundësojnë zhvillimin e mëtejshëm të shumë projekteve që po zhvillohen në Komunën e Podujevës”, thuhet në përgjigjen e kësaj komune.
Përfaqësues lokalë u ankuan se, edhe në rastet kur ndahen mjaftueshëm mjete për projekte kapitale, shpesh atyre u ndërrohet destinimi.
Vitia udhëhiqet nga LDK-ja. Kryetari i kësaj komune, Sokol Halili, ka thënë se shumë projekte kanë mbetur pa mbështetje, meqë buxheti i paraparë për to është marrë shkaku i obligimeve që kanë rrjedhur nga kontrata kolektive, e të cilat nuk janë buxhetuar nga Qeveria.
“Nevojat janë shumë më të mëdha, por ne ia kishim dalë disi sikur të mos ishin problematikat e tjera, sidomos marrja e investimeve kapitale, si pasojë e kontratës kolektive në shumë prej 5.5 milionë që Komunës së Vitisë i janë marrë gjatë vitit 2024 si dhe vendimi për tatimin në pronë për faljen e tatimit në pronë, që vërtet ka qenë joadekuat”, ka deklaruar Haliti.
Buxheti i përgjithshëm për vitin e ardhshëm pritet të jetë 3 miliardë e 608 milionë euro apo 9 për qind më i madh se i sivjetmi. Projektligji i miratuar nga Qeveria javën e shkuar do të shqyrtohet në Kuvend këtë të hënë.