Investim milionësh ka paraparë në planin e saj zhvillimor Komuna e Suharekës, në pronat që Qeveria ia ktheu Agjencisë Kosovare të Privatizimit. Kryetari i kësaj komune, Bali Muharremaj, pretendon të jenë dëmtuar, teksa bën të ditur nisjen e procedurave ligjore ndaj këtij vendimi të ekzekutivit. E, Asociacioni i Komunave të Kosovës e quan atë arbitrar
Rreth 30 hektarë tokë në Komunën e Suharekës me vendim të Qeverisë, sërish, i janë kthyer Agjencisë Kosovare të Privatizimit.
Kjo komunë, në bazë të planit zhvillimor, ka paraparë që këtu të transferohen një sërë objektesh për shërbime publike, si dhe të ndërtohet stadiumi.
Kryetari i Suharekës thotë se kjo pronë duhet të jetë në shërbim të qytetarëve, tek bën të ditur se ndaj vendimit të Qeverisë tashmë ka paraqitur ankesë.
“Nëse vazhdohet ky vendim do të konsultohem me juristët, avokatin e komunës në aspektin ligjor, do t’i përcjelli siç janë të parapara me ligjet dhe kushtetutën. Dua t’i përdor të gjitha instancat që kjo pronë t'i kthehet komunës”, ka thënë kryetari i kësaj komune, Bali Muharremaj.
Vendim arbitrar po e quan atë Asociacioni i Komunave të Kosovës, duke kërkuar shfuqizimin e tij.
“Është absurd i kohës. Ne mendojmë që ato investime që janë bërë në këto prona që ligjërisht u takojnë komunave për shkak se vendimi i tillë është marrë nga Qeveria, është fuqizuar nga Gjykata Kushtetuese dhe të gjitha investimet janë bërë me mjete të taksapaguesve kosovarë”, ka deklaruar Sazan Ibrahimi nga AKK-ja.
Sipas Ibrahimit, pushteti qendror po e shpërfaq edhe njëherë mungesën e koordinimit që ka me komunat për çdo çështje.
Ditë më parë, kabineti qeveritar e shfuqizoi vendimin e ish-kryeministrit, Ramush Haradinaj, të marrë më 2018, që pronat e AKP-së t’u jepeshin në shfrytëzim komunave.