Shkallët i përshkon më shumë se dy herë në ditë.
Selvete Bytyçi jeton në katin e katërt, te banesat e bardha në Bregun e Diellit.
Edhe pse është 72 vjeçe dhe ka probleme me shëndetin, ajo e ka të domosdoshme që t’i ngjisë shkallët për shkak të mungesës së ashensorit.
Tash e shumë vjet edhe përkundër kërkesës së tyre për pajisje me ashensorë nuk është bërë një gjë e tillë.
Në këtë bllok të banesave shumica e banorëve janë të moshuar, mirëpo kjo gjë nuk e ka shtyrë komunën që të kenë përparësi në pajisjen me ashensor.
Bytyçi thotë se e ka të vështirë ngjitjen pasi duhet të dalë shumë herë në ditë për të marrë gjëra ushqimore por edhe nganjëherë edhe për vizita.
“Asnjëherë s’ka pasur ashensor në këtë ndërtesë. Në anën tjetër nevoja për të është shumë e madhe, në këtë ndërtesë banojnë persona të moshuar më shumë se sa të rijnë. Ne po shkojmë duke u plakur çdo herë e më shumë. Tani e kemi edhe moshën e shtyrë problem me i ngjitë shkallët, shpesh herë duhet të dalim poshtë na nevojiten gjëra ushqimore, ka nevojë për ashensor shumë këtu. Po shpresoj që do të bëhet mirë për ne në këtë hyrje”, ka thënë Bytyçi.
Tutje ajo thotë se vuan nga dhimbjet e këmbëve, por pavarësisht nga kjo duhet të ngjisë shkallët.
Thotë se ia ndjenë nevojën ashensorit çdo ditë të jetës së saj.
“Për mua personalisht është shumë e vështirë me i ngjitë këto shkallë çdo herë. Shpesh përveç gjërave ushqimore më duhet të dalë edhe për qejf ndonjëherë. Jemi të detyruar që t’i përdorim shkallët është shumë e vështirë për neve por nuk kemi çfarë të bëjmë. Unë kam dhimbje të mëdha në këmbë tërë kohën po ashtu vuaj edhe nga tensioni i lartë i gjakut, pra jemi plakur tash problem që t’i përballojmë këto shkallë, ashensori është i domosdoshëm”, ka thënë ajo.
Në anën tjetër në komunë thonë që për këtë vit e kanë bërë përzgjedhjen e përfituesve të ashensorëve që janë vetëm shtatë.
“Jemi mundu me qenë transparent në përzgjedhjen e përfituesve të ashensorëve, për vitin 2024. Ne kemi ndarë edhe një buxhet të shtuar për vitin 2025, në vitin e ardhshëm ne po përpiqemi që ta shtojmë buxhetin për shërbime publike në këtë rast edhe kjo i bie që edhe numri i përfituesve të ashensorëve do të jetë më i lartë. Por për këtë vit kemi shkuar në bazë të disa kritereve dhe e kemi parasysh që përzgjedhja jo gjithë herë është bërë në bazë të kritereve dhe kemi pasur favorizime. Këtë vit kemi vendosur 4 kritere dhe përfitues kanë qenë 7 persona”, është shprehur drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës, Bekim Brestovci.
Pa dhënë detaje për bllokun e ndërtesës në fjalë, Brestovci ka thënë që për përzgjedhjen e vendosjes së ashensorëve do të ndiqen kriteret dhe nuk do të ketë favorizime.
“Ne për të qenë korrekt me të gjithë i kemi kontaktuar për listim dhe para se të bëjmë një listim kemi bërë, të gjithë ata që kanë qenë të evidentuar në listën për ashensor peronat nga komuna na kanë dhënë edhe rezultatet nga terreni për gjendjen që kanë qenë... mirëpo iu siguroj që gjithçka do të bëhet në bazë të kritereve”, ka thënë ai.
Shumë ndërtesa të vjetra në Prishtinë, janë të pa pajisura me ashensor kurse ato të cilat i kanë ashensorët i kanë me defekte.