Arbëri

Komuna e Vushtrrisë në kundërshtim me ligjin synon punësimin e 40 personave

11 infermierë, 10 asistentë për fëmijë me nevoja të veçanta, 2 arkitektë e disa pozita të tjera. Komuna e Vushtrrisë planifikon t’i plotësojë duke e shkelur ligjin. Këtë do ta bëjë me procedurë për shërbime të veçanta e në emër të shërbimeve konsulente. Sipas njohësve të prokurimit, kjo është në kundërshtim me ligjin e në Komunë thonë se nuk patën mundësi të tjera

Komuna e Vushtrrisë planifikon rekrutimin e 40 personave përmes kontraktimit të tyre me anë të procedurave të prokurimit për shërbime të veçanta.

Në mesin e tyre janë 11 infermierë, 10 asistentë për fëmijë me nevoja të veçanta, 2 arkitektë e 3 zyrtarë të prokurimit publik.

Sipas tenderit rreth 600 mijë eurosh, që është hapur në muajin mars në emër të shërbimeve konsulente, këta punonjës do të angazhohen për dy vjet në drejtori përkatëse në emër të shërbimeve konsulente.

Por, sipas rregullores së prokurimit publik, konsulenti është një specialist në një fushë specifike i angazhuar nga Autoriteti Kontraktues në rolin e një këshilluesi. 

Ky aktivitet i prokurimit, sipas organizatës “Demokraci Plus” është në kundërshtim me ligjin dhe rregulloren e prokurimit.

“Pozitat e rregullta brenda institucionit, të cilat parashihen me katalog, duhet me u kontraktu përmes procedurave të rregullta të rekrutimit të cilat parashihen me ligjin për zyrtarët publikë. Pra, jo duke përdorur shërbimet e veçanta, për shkak se shërbimet e veçanta përdoren vetëm në ato raste kur institucioni ka nevojë për një shërbim që nuk mundet me e siguru me stafin që e ka. Ndërsa në këtë rast tentohet të kontraktohen konsulentë për punë të zakonshme administrative, të cilat janë përgjegjësi dhe detyrë e stafit që punon në Komunë”, ka thënë Egzona Kozhani nga “Demokraci Plus”.

Në Komunën e Vushtrrisë thonë se për shkak të dështimit të konkurseve e mungesës së buxhetit deri në rekrutimin e rregullt të stafit janë detyruar që zgjidhje të bëjnë përmes kontraktimit të këtyre shërbimeve.

“Kemi problem shumë të madh me Drejtorinë e Urbanizmit. Nuk kemi pas kah me ia majtë për shkak se na kemi shpallë konkurse që sa herë. Kemi kërkuar arkitekt, inxhinier, por nuk konkurrojnë me këtë pagë. Këtë është mirë me e ditë edhe mediat edhe shoqëria civile po edhe vetë Qeveria kur e ka bë ligjin e pagave. Për shkak se një arkitekt nuk vjen me punu për një pagë 600 euro, shkon punon për 2 mijë euro në sektorin privat. Të jemi shumë të qartë, pra 3 herë kemi shpallë konkurse, tri herë kanë dështu”, ka deklaruar kryetari i komunës Ferat Idrizi.

Ai ka shtuar se në këtë mënyrë do të shtojnë edhe numrin e asistentëve për fëmijë me nevoja të veçanta.

“Ne është dashtë tash me e shfrytëzu këtë vijë buxhetore d.m.th. prej mallrave dhe shërbimeve edhe me e plotësu. Se ne më të kënaqur ishim kanë me e shpallë konkursin edhe me i kërkue..... Ministria e Arsimit nuk është se nuk ka përgatitë asistentë, por ka përgatitë numrin shumë të vogël. Deri tash i kemi rekrutu përmes sistemit 5-6 asistentë. A i kemi gjithsej 25 fëmijë me nevoja të veçanta. Shtrohet pyetja, a t’i lëmë ata fëmijë në atë gjendje dhe le të shkojnë nanat e tyre vazhdimisht në orë të mësimit apo të ua sigurojmë nga një asistent”, ka theksuar Idrizi.

Lidhur me këtë aktivitet të prokurimit KOHA ka dërguar pyetje në Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik, por nuk ka marrë përgjigje.