Arbëri

Komuna e Prishtinës synon që deri në mars t’i largojë nga rruga 1.500 qen

Kapaciteti i strehimores është për 350 qen, por drejtori i Shërbimeve Publike, Bekim Brestovci, ka shprehur bindjen se deri në fund të marsit të vitit të ardhshëm do të jenë 1.500 qen endacakë më pak në kryeqytet, pasi që ata do të trajtohen në qendër dhe më pas do të jepen për adoptim

Komuna e Prishtinës e ka hapur të mërkurën qendrën për trajtimin dhe strehimin e qenve endacakë, duke i vendosur në të 10 qentë e parë, të marrë nga sheshet e kryeqytetit.

Këta qen do t’i nënshtrohen procesit të kastrimit dhe të sterilizimit, ndërsa më pas edhe do të vaksinohen.

Përparim Rama, kryetar i Komunës së Prishtinës, ka shprehur bindjen se me hapjen e kësaj qendre do të marrë fund problemi me qentë endacakë në kryeqytet.

“Kemi ekipe që operojnë në terren dhe kanë filluar t’i heqin prej zonave në qendër fillimisht dhe i sjellin këtu për trajtim, kastrim, sterilizim, vaksinim e pastaj t’i japim për adoptim. Ideja është që mos të ketë qen endacakë edhe përmes proceseve të tjera që i kemi çuar përpara sikur subvencionimi me 50 euro për adoptim të qenve”, ka theksuar Rama. “Kemi një numër të madh të personave e të kompanive të ndryshme për adoptimin e qenve endacakë dhe, në këtë mënyrë, ta heqim këtë dukuri negative, duke mos lënë asnjë qen pa shtëpi”, ka shtuar ai. 

Kapaciteti i strehimores është për 350 qen, por drejtori i Shërbimeve Publike, Bekim Brestovci, ka shprehur bindjen se deri në fund të marsit të vitit të ardhshëm do të jenë 1.500 qen endacakë më pak në kryeqytet, pasi ata do të trajtohen në qendër dhe më pas do të jepen për adoptim.

“Më nuk do të ketë më lëshime në rrugë, e kemi këtë projekt që merret me trajtimin e tyre dhe pastaj të gjithë qentë do të jenë në strehimoren tonë që në fillim ka kapacitet deri në 350 qen dhe synimi ynë që çdo qen të ketë një shtëpi, një adoptues. Kemi një listë të gjatë të atyre që po presin për adoptim. Zgjidhja më e mirë e mundshme që i kemi pasur. Deri në fund të marsit pritet të ketë 1500 qen endacakë më pak rrugëve të kryeqytetit”, ka theksuar ai.

Por, udhëheqësja e Fondacionit për të drejtat e kafshëve, Elza Ramadani, ka shprehur qëndrimin se vetëm me strehim nuk mund t’i bëhet zgjidhje çështjes së qenve endacakë.

“Ishim te strehimorja e Prishtinës dhe ende disa gjëra mungonin, por stafi tha se do të plotësohen në vazhdimësi me kërkesat që legjislacioni i sheh në mënyrë që kafshët të gëzojnë mirëqenie të plotë për aq sa jetojnë dhe shpresojmë që qendra të fokusohet më shumë në kastrim dhe sterilizim për ta reduktuar numrin e qenve endacakë, sepse askush nuk mund të strehojë 2-3 mijë qen. Ne si organizatë do të jemi afër dhe do të shohim nëse do të kemi transparencë”, ka thënë Ramadani.  
Komuna e Prishtinës ka ndërmarrë edhe më herët veprime në funksion të zgjidhjes së problemit, porse rastet e sulmeve nga qentë endacakë janë shtuar gjatë këtij viti.

“Nga janari e deri më tani janë regjistruar 112 raste, përfshirë edhe lëndime të rënda që rrezikojnë jetën, përfshirë edhe raste me lëndime që rrezikojnë jetën, e që janë spitalizuar për trajtim të mëtutjeshëm në Klinikën Infektive. Vitin e kaluar kanë qenë 84 raste të tilla”, është bërë e ditur në komunikatën e Shërbimit Spitalor, Klinik e Universitar (SHSKUK).
Kjo qendër i ka kushtuar Komunës së Prishtinës 1.7 milionë euro.