Arbëri

Komuna e Prishtinës shpenzoi mbi 29 milionë euro nga buxheti në periudhën prill-qershor

Në tremujorin e dytë të këtij viti komuna e Prishtinës ka shpenzuar mbi 29 milionë euro të buxhetit, e që shënon rritje në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Sipas raportit financiar për periudhën prill-qershor 2024, që u bë i ditur gjatë seancës së gjashtë të Kuvendit Komunal, shpenzimi më i madh ka ndodhur te pagat dhe mëditjet, si dhe te kategoria e shpenzimeve kapitale.

“Sa i përket performancës së shpenzimeve, shpenzimet buxhetore në këtë periudhë kanë arritë 29 milionë e 482 mijë, 20.01 për qind. Në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit paraprak ka një rritje të shpenzimeve buxhetore, ku shpenzimi më i madh ka ndodhur te pagat dhe mëditjet dhe te kategoria e shpenzimeve kapitale”, ka thënë Valbona Makolli, drejtoreshë e Financave.

Përderisa mbi 9 milionë euro është performanca e të hyrave vetjake, duke shënuar rënie nga periudha e njëjtë e vitit paraprak.

“Performanca e të hyrave vetanake në këtë tre mujor kemi një mblehdje të të hyrave në vlerë prej 9 milionë, apo 38 përqind nga planifikimi buxhetor. Tek grumbullimi i të hyrave në këtë periudhë, e ka shënuar një rënie krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2023 ku shkak kryesor i këtij trendi negativ për të hyrat vetanake është vendimi i komunës së Prishtinës për faljen e tatimit në pronë në vlerë prej 75 euro”, ka shtuar ajo.

Opozita e ka quajtur negative këtë performancë të buxhetit.

“Nga të dhënat e paraqitura po vazhdon trendi negativ i përformancës, i bije se janë konsumuar 2/3 e qeverisjes dhe do të duhej të arrihej kulmi i realizimit të buxhetit. Fatkeqësisht trendi nuk është i tillë dhe gjasat për një ndryshim për në aspektin pozitiv janë pothuajse zero për periudhën e kësaj qeverisje. Përformanca e të hyrave është për 15 për qind më e ulët se sa për vitin paraprakë. Nëse e paraqesim në vlerë financiare është edhe më i madh pasi kemi të bëjmë me një buxhet edhe më të madh se ai i vitit paraprakë”, ka thënë asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Feim Osmani.

Përderisa Muhamet Selmani i Partisë Demokratike të Kosovës kërkoi disa sqarime.

“A mundeni të na sqaroni se këto projekte me vlera kaq të ulëta. Pra, e kemi për shembull, drejtoria e Investimeve Kapitale rruga “Skënderbeu” projekti 357 euro. Zgjerimi i rrugës Llukar-Makovc i pashfrytëzuar. Drejtoria e Shërbimeve, pajisje për sallën edukative arsimore 1 euro projekt. Si mund të realizohen këto projekte me këtë çmim?”, ka thënë ai.

Në pyetjet e tij u përgjigj Krenar Xhaferi, drejtor i Investimeve Kapitale, i cili ka thënë se këto mjete do të rialokohen në kontratat e re.