Arbëri

Komuna e Prishtinës: Pastrimi i kryeqytetit po sabotohet për arsye politike

Protestojnë punëtorët e kompanisë Pastrimi

Foto: KOHA

Komuna e Prishtinës ka reaguar pas protestës së punëtorëve të kompanisë “Pastrimi”, të cilët e akuzuan se nuk po  dhuron me qëllim kamionët e rinj për përdorim. 

Në reagimin e Komunës thuhet se pastrimi i kryeqytetit po sabotohet për arsye politike. 

Punëtorët e kompanisë ‘Pastrimi’ nuk do të mbeten pa punë dhe qytetarët e kryeqytetit nuk do të mbeten pa shërbimin e grumbullimit të mbeturinave. Për shkak të kapaciteteve të pamjaftueshme të kompanisë ‘Pastrimi’ për të përmbushur nevojat e kryeqytetit, që nga muaji maj kemi angazhuar operator privat, për të garantuar shërbime cilësore të merituara për qytetarët. Angazhimi i operatorit privat dhe furnizimi i Kryeqytetit me kontejnerë të rinj kanë përmirësuar dukshëm menaxhimin e mbeturinave. Pavarësisht këtyre përmirësimeve, asamblistët opozitarë po bëjnë përpjekje për të ndryshuar rregulloren që do të pamundësonte ofrim-shërbimin nga operatorët privatë. Një vendim i tillë do të rikthente problemet e mëparshme me mbeturinat, duke rrezikuar shëndetin publik dhe cilësinë e jetesës në kryeqytet”, thuhet në reagim. 

Tutje thuhet se penalizimi i qytetarëve “për arsye politike” është i papranueshëm.  

“Shprehim keqardhje për politizimin e këtij shërbimi thelbësor. Penalizimi i qytetarëve për arsye politike është johuman dhe i papranueshëm. Përhapja e dezinformatave se punëtorët do të mbeten pa punë është një përpjekje e ulët për të krijuar frikë dhe panik. Angazhimi i operatorit privat ishte dhe mbetet një mbështetje për kompaninë ‘Pastrimi’ dhe jo një zëvendësim i saj. Kështu, do të vazhdojë të jetë edhe në të ardhmen”, thuhet tutje në reagim. 

Punëtorët e kompanisë “Pastrimi” po protestojnë para objektit të Komunës së Prishtinës, duke akuzuar se komuna i ka kamionët e rinj, por qëllimisht s’po ua dhuron për përdorim.

Ata thanë se po lihen të punojnë me mjete të vjetra, derisa ftuan kryetarin Përparim Rama të dalë dhe të përballet.