Arbëri

Biçikletat e Prishtinës mbahen në serra, pronari u pagua rreth 500 euro në muaj

Pas kritikave se po liheshin në borë e në shi, biçikletat e Komunës së Prishtinës, u larguan nga hapësirat pa mbulojë.

U tha se ato u dërguan në Qendrën e Kompostimit në fshatin Butovc. Kështu të paktën e dinte edhe drejtori i Shërbimeve Publike, Bekim Brestovci.

“Në fillim të sezonit, ne kemi kërkuar nga ata që t’i largojnë nga hapësirat publike për shkak që të jenë të mbrojtura prej kushteve klimatike. Ka qenë një ide eventualisht me i dërgu në stacionin e ‘Trafikut Urban’ sepse aty ka një hapësirë bukur të madhe e cila mund të dedikohet për një gjë të tillë dhe të jenë të mbrojtura nga kushtet klimatike. Mirëpo nuk kemi marrë përgjigje pozitive nga ‘Trafiku Urban’ sepse hapësira i është dashur atyre. Alternativa e dytë që ne pastaj e kemi preferuar dhe propozuar ‘Prishtina Parkingut’ ka qenë qendra e kompostimit, e cila menaxhohet nga kompania publike ‘Gjelbër’. Dhe të them të drejtën deri në ditën kur unë i kam pa biçikletat në atë oborr aty, për mua ka qenë bindja që ato biçikleta janë dërguar në qendrën e kompostimit sepse kështu ka qenë edhe kërkesë e jona por edhe marrëveshja me Prishtina Parkingun”, ka thënë Brestovci.

Por në fakt, gjatë ditëve të sezonit dimëror ato u mbajtën në një serrë në një shtëpi private në lagjen “Kalabria”.

I kontaktuar nga KOHA, kryeshefi i “Prishtina Parking”, Sokol Havolli, nën menaxhimin e të cilëve janë këto biçikleta, ka thënë se nuk ka asgjë të keqe që ato janë dërguar aty.

“Çka ka të keqe që ato janë dërguar aty? Po bëhet sikur i kemi trajtuar keq. I kemi menaxhuar në mënyrë perfekte edhe gjatë kohës që kanë qenë në qytet. E kemi pyetur Komunën e Prishtinës dhe ata na kanë thënë të kontaktojmë me ndërmarrjen “Gjelbër” mirëpo ata nuk na kanë ndihmuar”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se pronarin në fjalë e kanë paguar rreth 500 euro në muaj për t’i ruajtur ato.

“E kemi marrë me qira dikur rreth 500 euro në muaj, nuk e di saktë, për shkak se zyrat përkatëse janë për këtë farë pune. Por e di që i kemi paguar 5 euro për metër katror. Por qëllimi ka qenë që të vendosen diku ku janë të sigurta edhe për shkaqe sigurie dhe ku ka kamera. Në këtë pronë ka kamera”, ka thënë ai.

Asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Faton Zeka, ka thënë se duhet të bëhet e ditur se si është vendosur që këto biçikleta të dërgohen në atë vend.

“Për mua ka qenë shumë shqetësuese me i pa biçikletat komunale të vendosura në një hapësirë private. Nga kureshtja e bëra një status edhe pse fillimisht dyshova mos i kanë marrë këta që po shesin hekur dhe thash i kanë marrë në mënyrë ilegale e duhet të lajmërohet policia. Por pastaj mora vesh se ato biçikleta ‘Prishtina Parking’ i ka vendosur në zonë private të një qytetari. Sipas të gjitha gjasave edhe kanë paguar qira. S’e di mënyrën e prokurimit si u zgjodh ai qytetar për t’i vendosur biçikletat në oborrin e tij. Duke e pas parasysh se Komuna e Prishtinës ka prona komunale ku kanë mundur të vendoseshin ato biçikletat”, ka thënë ai.

Nga 1 marsi, biçikletat pritet të rikthehen në kryeqytet për të qenë në dispozicion për qytetarët.