Agjencia për Informim dhe Privatësi nuk i ka marrë në konsideratë arsyetimet e Komunës së Prishtinës, për të mohuar qasjen në dokumentet e kërkuara për “Arkitektin e Qytetit”. Agjencia ka konstatuar se Komuna ia ka kufizuar KOHËS qasjen në informata dhe e ka obliguar këtë institucion që brenda një jave t’i vërë në dispozicion ato
Më shumë së dy muaj kanë kaluar prej kur KOHA ka kërkuar në Komunën e Prishtinës një numër të dokumenteve publike, të cilat lidhën me kontratën prej 12 milionë eurosh të “Shërbimit të Arkitektit të Qytetit”.
Duke i injoruar emailat e përsëritur, Komuna e drejtuar nga Përparim Rama nuk ka ofruar asnjëherë qasje në dokumentet e kërkuara.
Një gjë të tillë nuk e ka bërë as pasi që KOHA i ka dërguar ankesë Agjencisë për Informim dhe Privatësi (AIP). Por, para Agjencisë e ka arsyetuar refuzimin, duke thënë se është organizuar një konferencë për media, në të cilën KOHA ka mundur që t’i marrë përgjigjet.
“Për hir të transparencës dhe interesimit të mediave lidhur me Shërbimin e Arkitektit të Kryeqytetit, dhe në pamundësi për t’u përgjigjur për secilën pyetje veç e veç, kemi organizuar një konferencë gjithëditore për media. Jemi kujdesur që në veçanti të ftojmë gazetarët që kanë parashtruar pyetje lidhur me këtë çështje, dhe në konferencë ka qenë e pranishme edhe gazetarja në fjalë”, është thënë në një përgjigje të Komunës.
Pas këtij komunikimi, Agjencia për Privatësi ka nxjerrë një vendim, në të cilin ka konstatuar se Komuna e Prishtinës ia ka kufizuar KOHËS qasjen në informata.
“Në rrjedhë të këtij komunikimi, Agjencia në po të njëjtë datë, 17 korrik 2024, përmes një shkrese zyrtare drejtuar institucionit publik konsideron se Komuna e Prishtinës ka ofruar qasje të kufizuar ndaj kategorisë së dokumenteve, të kërkuara nga ana e palës ankuese”, kanë thënë në AIP.
KOHA i ka kërkuar Komunës së Prishtinës dokumentet që provonin se janë kryer punët për të cilat janë bërë pagesat tek kontrata “Shërbimi i Arkitektit të Qytetit”. Bazuar në informatat që paraprakisht i ka pranuar redaksia, ky institucion ka paguar edhe për shërbimet që ende nuk janë afër finalizimit, ani se këtë nuk e lejon Ligji i Prokurimit Publik.
Pas vendimit të Agjencisë për Informim dhe Privatësi, Komuna e Prishtinës i ka edhe gjashtë 6 ditë afat për t’i ofruar KOHËS qasje në dokumentet e kërkuara qysh në muajin maj.
Lidhur me kontratën e “Shërbimit të Arkitektit të Qytetit”, KOHA ka raportuar në vazhdimësi. Një nga çështjet për të cilat ka kërkuar informata nga Komuna është raporti i punëve të kryera e të pranuara nga menaxherët. Siç e ka faktuar KOHA, pagesat për kontratën janë bërë edhe pa u përfunduar punët, që është në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit. Megjithëkëtë, këto dokumente Komuna e Prishtinës nuk ia ka ofruar KOHËS. Më herët edhe Agjencia për Privatësi ka shkelur afatet ligjore për trajtimin e ankesës së KOHËS për mosdhënie të informatave në lidhje me ketë kontratë. Ankesa u pati parashtruar në Agjencinë për Privatësi më 21 maj, e ligjërisht do të duhej të merrte përgjigje më 21 qershor.
Burime të KOHËS kanë thënë se në ofertën për kontratën që e ka dhënë Komuna është prezantuar edhe projekti, ku punoi kompania e kryetarit, Përparim Rama.