Komuna e Prishtinës ka njoftuar se të enjten nga ora 11:00 "do të inaugurohet sheshi “Erhard Busek” brenda sheshit të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës.
Paraparikisht është thirrur seancë të jashtëzakonshme e Kuvendit Komunal për orën 10:00, me vetëm një pikë të rendit të ditës, ku pritet që të miratohet propozim-vendimi për emertimin e këtij sheshi.
“Në bazë të nenit 44.4 të Ligjit nr.03/L-040 për Vetëqeverisjen Lokale “Gazeta Zyrtare e Republikës së Kosovës” nr.28/15, qershor 2008, e njoftojmë publikun se me datën 13.3.2025, në ora 10:00, në Sallën e madhe të mbledhjeve në Objektin e vjetër të Komunës, mbahet seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kryeqytetit, me një pikë të rendit të ditës: 1. Propozim-vendimi për emërtimin e sheshit “Dr.Erhard Busek”, thuhet në thirrjen për seancë.
Ndërkohë në një komunikatë të lëshuar nga Komuna, thuhet se ky shesh është nderim për kontributin e Busekut në forcimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Austrisë.
“Komuna e Prishtinës ju njofton se, nesër, më 13 mars 2025 do të mbahet ceremonia e inaugurimit të ‘Sheshit Erhard Busek’ në sheshin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës. Ky shesh është një nderim për kontributin e jashtëzakonshëm të z. Erhard Busek në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Austrisë. Inaugurimi i sheshit do të bëhet në orën 11:00 në Sheshin e Bibliotekës Kombëtare, brenda Kampusit të Universitetit Publik të Prishtinës”, thuhet në njoftimin e Komunës.
Së fundmi kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka përuruar fillimin e punimeve në sheshin “Xhorxh Bush” në Prishtinë. Mirëpo, punimet të cilat filluan të hënën u ndaluan vetëm pas dy ditësh nga Inspektorati i trashëgimisë kulturore, pasi janë në kundërshtim me ligjin.
KOHA ka raportuar të mërkurën se projekti 18.4 milionë eurosh i Komunës së Prishtinës për sheshin “Xhorxh Bush” është në kundërshtim me Ligjin për Trashëgimi Kulturore.
E gjatë ditës, pllakatës së projektit i është vendosur njoftimi për ndalim të punimeve.
Kjo nënkupton ndalimin e punimeve deri sa Komuna të çojë projektin në Institutin e Kosovës për Mbrojtje të Monumenteve dhe të marrë miratim për projekt. Atëherë mund të nisë puna nën mbikëqyrjen e institucioneve të trashëgimisë kulturore.