120 kioska të reja do të vendosen së shpejti në sheshin “Xhorxh Bush”, në kryeqytet. Në mungesë të parave, Komuna së bashku me ndërmarrjen komunale “Sport & Marketing”, organizimin e festivaleve “Verë n’Dimër’ dhe ‘Akull n’Verë’, do t’ia besojnë një operatori privat. Sipas kryeshefit të kësaj ndërmarrjeje, Bardh Krasniqit, kriteret për përzgjedhjen e gastronomëve do të jenë të njëjta
Pas pishinës së Gërmisë, tani edhe shtëpizat në sheshet e kryeqytetit do të menaxhohen nga një operator privat.
Së shpejti, ato do të largohen nga vendet ku janë, pasi do të zëvendësohen me të rejat, të cilat përpos që do të jenë më të shumta në numër, do të duken edhe më ndryshe.
Ndërmarrja publike komunale “Sport & Marketing”, ka hapur një thirrje publike për ofertim për blerjen e shtëpizave që gjenden në sheshin “Xhorxh Bush”, në Prishtinë.
Në këtë vend, tash e shumë kohë organizohen festivalet “Verë n’Dimër” dhe “Akull n’Verë”.
Kryeshefi i ndërmarrjes ‘Sport & Marketing’, Bardh Krasniqi, ka folur për gjendjen e rëndë financiare të ndërmarrjes.
“Gjendja financiare e ndërmarrjes nuk ofron komoditet financiar, në nivel që të investojë në asete të reja dhe shtëpiza të reja dhe po ashtu të organizojë në mënyrë te mirëfilltë! Kjo është planifikuar dhe ka një biznes-plan të vitit 2023, të aprovuar nga Bordi i Drejtorëve të NPL ‘Sport & Marketing’ për formën e mirorganizimit”, ka thënë Krasniqi.
Tanimë edhe gastronomëve për festivale të ndryshme, për pajisje me shtëpiza, kriteret nuk do t’u përcaktohen nga komuna.
“Kriteret për pajisje me shtëpizë do të duhej të vendoseshin nga ndërmarrja e pastaj në marrëveshje mes ndërmarrjes dhe kompanisë ofertuese të përzgjidhen. Këtu besoj unë që është një tentativë vetëm për t’iu shmangur kostos, e cila do të duhej të shpenzohej për ndërtimin e shtëpizave të reja. Të vjetrat janë të demoluara dhe jofunksionale”, ka thënë Bekim Brestovci, drejtor i Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës.
Por, opozita në kryeqytet po e konteston vendimin e Komunës për këtë projekt.
“Faktikisht ky është vendim i kryetarit Rama dhe të cilin ne e kemi ankimuar në MAPL, ku kemi kërkuar që të vlerësohet ligjshmëria e tij për shkak se ne besojmë që ka dalje nga kompetenca. Kjo i bie që në 5 vitet e ardhshme këto festivale do të organizohen nga kompani private edhe mandej ata mund t’ua japin në shfrytëzim kujt të duan, ose e kundërta”, ka deklaruar Gëzim Sveçla, këshilltar komunal nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje.
Nga kompania, e cila do ta fitojë tenderin, ndërmarrja si fillim do të marrë 180 mijë euro.
Ndërsa pas shpalljes së operatorit fitues, do t’i takojë menaxhimi i shtëpizave për 5 vitet e ardhshme.