Komuna e Prishtinës, të enjten, ka dalë me njoftim, duke përsëritur kërkesën që pagesat për shërbimet e pastrimit të bëhen drejtpërdrejt në zyrat e Komunës dhe jo në kompaninë “Pastrimi”. E në një reagim të “Pastrimit”, pos që u kërkohet qytetarëve të paguajnë në zyrat e saj, i është kërkuar edhe Prokurorisë të veprojë dhe ta hetojë Komunën e Prishtinës
Kompania Rajonale për Mbledhjen e Mbeturinave “Pastrimi”, ka kërkuar ndërhyrjen e Prokurorit të Shtetit dhe organeve hetimore pasi Komuna e Prishtinës u bëri thirrje qytetarëve që faturat t’i paguajnë tek ajo.
Komuna e Prishtinës, të enjten, ka dalë me njoftim, duke përsëritur kërkesën që pagesat për shërbimet e pastrimit të bëhen drejtpërdrejt në zyrat e Komunës dhe jo në kompaninë “Pastrimi”.
Po ashtu, në njoftim thuhet se qytetarët që kanë realizuar pagesa te kompania “Pastrimi”, mund të paraqesin dëshmitë përkatëse, dhe ato fatura do të njihen si të paguara.
“Ju ftojmë që të gjitha pagesat për pastrim t’i bëni në Komunë. Faleminderit për mirëkuptim dhe bashkëpunim!”, thuhet në komunikatën e Komunës.
I menjëhershëm ishte reagimi i kompanisë “Pastrimi”.
“Kërkojmë ndërhyrjen e Prokurorit të Shtetit dhe organeve hetimore në veprimet e jashtëligjshme të Komunës së Prishtinës. KRM “Pastrimi” sh.a. shpreh shqetësimin e saj lidhur me veprimet e fundit të Komunës së Prishtinës të cilët në mënyrë të njëanshme dhe pa asnjë bazë ligjore, po njofton qytetarët që pagesat për shërbimet e pastrimit të bëhen në Komunë, dhe jo pranë ndërmarrjes sonë siç e përcakton qartë Rregullorja për Menaxhimin e Mbeturinave, e miratuar nga vetë Kuvendi Komunal”, thuhet në reagimin e KRM “Pastrimit”.
“Pastrimi” e ka cilësuar kërkesën e Komunës në kundërshtim me rregulloren në fuqi dhe me kompetencat ligjore të ndërmarrjes.
Ndërmarrja ka shprehur dyshime se Komuna po tenton të hapë tendera për kontrata me operatorë privatë në vlerë mbi 20 milionë euro. Sipas ndërmarrjes, këto tenderime do të jenë të jashtëligjshme.
“Përkundër përpjekjeve tona për të mbrojtur rendin institucional dhe për të bashkëpunuar, Komuna po vazhdon me vendime të njëanshme që rrezikojnë jo vetëm funksionimin financiar të ndërmarrjes, por edhe cilësinë dhe vazhdimësinë e shërbimeve cilësore, e mbi të gjitha po e dëmtojnë drejtpërdrejt qytetarin. Për këtë arsye, i drejtohemi Prokurorit të Shtetit dhe institucioneve hetimore që të ndërhyjnë urgjentisht për të ndalur këtë praktikë të paligjshme dhe për të rivendosur rendin ligjor dhe funksional në raportin mes Komunës dhe ndërmarrjes sonë. Sepse dyshimet janë që po tentohet të pamundësohet operimi i KRM “Pastrimi” Sh.A. dhe t’u hapet rruga tenderimeve për kontratat e jashtëligjshme me operatorë privatë me vlerë mbi 20 milionë euro”, thuhet në reagim.
Polemikat për bërllokun kanë marrë intensitet në fillim të shkurtit.
Komuna e Prishtinës pati paralajmëruar masa të ashpra ndaj kompanisë “Pastrimi” për atë që e ka kualifikuar si sabotim nga ndërmarrja, për të grumbulluar mbeturinat.
Më 5 shkurt, Komuna e Prishtinës ka njoftuar se qytetarët nuk janë të obliguar t’i paguajnë faturat e lëshuara nga ndërmarrja “Pastrimi” për muajin janar.
E gjithë kjo paqartësi, është shkaktuar pasi në fund të dhjetorit, asambleja komunale me inicimin e PDK-së dhe me ndihmën e LVV-së, ka votuar për plotësim-ndryshimin e rregullores për mbeturina.
Nëpërmjet ndryshimeve, inkasimi i faturave për banorët e Prishtinës iu kthye KRM “Pastrimi”.
Për këtë ka ndërhyrë edhe Ministria e Mjedisit, e cila e pati cilësuar rregulloren e ndryshuar në harmoni me ligjin për mbeturinat.
Në shenjë pakënaqësie, ekzekutivi i Komunës e ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese vendimin, por ende nuk ka një aktgjykim.