Arbëri

Komuna apelon qytetarët: Mos jepni lëmoshë

Janë prezent kudo në qoshe të rrugëve, në semaforë e lokale të gastronomisë.

Numri i tyre sa shkon e rritet çdo ditë, për shkak se të njëjtit vijnë edhe nga qytete të ndryshme në Prishtinë, për ta zhvilluar veprimtarinë e tyre e që është kërkimi i lëmoshës.

Komuna së bashku me Qendrën për Punë Sociale, përmes një fushate po synon t’i vetëdijësojë qytetarët që të mos iu japin para.

Sipas ushtruesit të detyrës së drejtorit në këtë qendër, Blerim Shabani, dhënia e lëmoshës këtyre njerëzve vetëm i nxit ta vazhdojnë, për shkak se ata fitojnë.

“Fushata synon vetëdijësimin publik, për efektet, ndikimet dhe pasojat që I ka dhënia e lëmoshës për qytetarët që janë në rrugë, qoftë në mënyrë të shoqëruar qoftë në mënyrë të pashoqëruar që frekuentojnë ambiente të ndryshme në kryeqytet, qoftë në sheshe, në semafor, në qoshe apo lokale të gastronomisë”.

“Ne kemi një kontekst kulturor që t’i ndihmojmë fëmijët që janë në rrugë, por fëmijët që janë në rrugë dhe janë mosha të vogla do të duhej të ishin në shkollë dhe në shoqëri. Dhënia e lëmoshës vetëm se i nxit ata që të dalin dhe të kërkojnë, sepse rrjedhimisht ata po fitojnë nga ajo punë dhe kjo ndikon normalisht edhe në psikologjinë e fëmijës. Kjo është tërheqje e vëmendjes nga mësimi dhe familja. Ekspozimi i vetëm i fëmijëve në rrugë është me rrezik edhe të trafikimit”.

E disa nga qytetarët të cilët më parë edhe vetë iu kanë dhënë para këtyre lypsarëve, thonë që janë të shqetësuar për këtë dukuri negative.

Ata thonë që të njëjtit punojnë për individë të ndryshëm dhe interesa të tyre.

Shumica prej tyre, sipas Shabanit, vijnë nga Fushë-Kosova dhe nga Shqipëria.

Kosova ende nuk ka një ligj i cili do t’i mbronte dhe do të ua siguronte një jetë më të dinjitetshme edhe lëmoshkërkuesve në Kosovë.