Zyrtarët e lartë evropianë të cilët këtë javë kanë vizituar rajonin, kanë kërkuar prej Kosovës dhe Serbisë që të bëjnë kompromise të dhimbshme në funksion të normalizimit të marrëdhënieve. Por ndërmjetësi i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka deklaruar se shoqëritë në Kosovë dhe në Serbi nuk janë ende të gatshme për normalizimin e raporteve
Kompromiset e dhimbshme, të cilat duhet që t’i bëjnë Kosova dhe Serbia, janë përmendur këtë javë në vizitat e zyrtarëve të lartë evropianë.
Përderisa presidenti i Francës, Emmanuel Macron, nga vizita në Beograd ia përmendi Kosovës specifikisht Asociacionin e komunave me shumicë serbe, obligim ky i cili deri vonë nga marrëveshja e Brukselit, emisari i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, ka thënë se Kosova dhe Serbia janë ende larg kompromisit të dhimbshëm.
E lehtësuesi evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, është shfaqur skeptik se palët janë të gatshme për normalizim tek ka përmendur rrezikun për destabilizim të situatës.
“Nëse më pyesni mua, problemi është se të dyja shoqëritë nuk janë gati për normalizim. Nuk shoh ndonjë shtyrje nga brenda, nga partitë politike, nga akademia, nga shoqëria civile, që të kërkojnë që udhëheqësit të bëjnë përparim drejt normalizimit. Përkundrazi, sa herë që ka një marrëveshje, ka më shumë kritika se janë bërë lëshime. Udhëheqësit nuk inkurajohen të bëjnë përparim drejt normalizimit”, ka thënë Lajçak për Radion Evropa e Lirë. Ai ka shtuar se, duhet që të punohet për ta ndryshuar mendësinë.
“Njerëzit duhet ta kuptojnë se normalizimi nënkupton kompromis. Normalizimi nënkupton fitim të ndërsjellë. Normalizimi nënkupton që marrëveshja të mund t'i prezantohet publikut dhe parlamenteve, si në Kosovë, ashtu edhe në Serbi. Për aq kohë sa jetoni në iluzione se kjo është një fitore për njërën dhe një humbje për tjetrën, nuk do të ketë përparim. Por, nëse nuk do të ketë përparim drejt normalizimit, nuk do të ketë përparim drejt integrimit evropian. Gjithçka tjetër është një iluzion dhe lajthitje”, ka thënë ai.
Obligimet e palëve nga dialogu i ka përmendur edhe presidenti francez Macron para dhe gjatë vizitës së tij në Beograd, më 29 dhe 30 gusht.
“Në vitin 2019, kur fola për çështjen e Kosovës, fola për guximin e nevojshëm për të arritur një kompromis. Të bindur se ky guxim ekziston në Serbi, ne, së bashku me Gjermaninë dhe partnerët tanë evropianë, me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, donim të ndihmonim rajonin të shmangte lëvizjet e njëanshme, deklaratat e pamatura, ngritjen e tensioneve, viktimat kryesore të të cilave janë njerëzit që jetojnë në terren, veçanërisht minoriteti serb në Kosovë”, ka thënë ai. “Nuk do të zgjidhet pa kompromis nga të dyja palët dhe në përputhje me rrethanat, nëse s’ka guxim politik për të arritur një zgjidhje”, deklaroi Macron në konferencën e përbashkët për shtyp me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Tek e ka shprehur bindjen se kompromisi që kërkohet në dialog është në përputhje me interesat e Serbisë, Macron ka kritikuar Kosovën për veprime të njëanshme, për të cilat ka thënë se e pengojnë zbatimin e marrëveshjeve.
Por kryeministri, Albin Kurti, i cili është pyetur të premten rreth vizitës së Macronit në Beograd, ka theksuar se Francën e konsideron aleat dhe partner të rëndësishëm.
“Ne bëjmë sundim ligji, rend publik, njëkohësisht me paqe dhe siguri për të gjithë qytetarët pa dallim dhe në këtë aspekt duam edhe bashkëpunimin e ngushtë edhe mbështetjen ndërkombëtare përfshirë këtu edhe Francën që e konsiderojmë vend mik, aleat dhe partner shumë të rëndësishëm edhe në Bashkimin Evropian edhe në NATO”, ka thënë Kurti, pas homazheve në përmendoren dedikuar personave të zhdukur gjatë luftës së viteve 1998-1999 në Kosovë.
Në deklarata publike, zyrtarët serbë kanë thënë në vazhdimësi se për ta janë të pazbatueshme pikat e marrëveshjeve që ia konfirmojnë shtetësinë Kosovës, përfshirë lejimin e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare. Lidhur me këtë çështje, analistë nga Serbia kanë reaguar duke thënë se qytetarëve serbë nuk po iu thuhet që Vuçiqi e ka pranuar planin franko-gjerman.
“Isha i tronditur dhe presidenti Vuçiq nuk reagoi për faktin se Macron tha se Serbia është e detyruar të përmbushë atë që ka pranuar, se është përkushtuar ndaj Marrëveshjes së Ohrit. Me sa e di, qytetarët e Serbisë nuk ishin të informuar se Serbia e ka pranuar planin franko-gjerman dhe kjo Marrëveshje e Ohrit ka të bëjë me zbatimin e atij plani. A kemi nevojë që presidenti francez të vijë dhe të na thotë se kemi pranuar diçka? Ai falënderoi Serbinë për përmbushjen e obligimeve të saj nga ajo marrëveshje”, ka thënë analisti Nebojsha Krstiq për mediat serbe.
Me porosinë se Kosova dhe Serbia duhet që të bëjnë kompromise të dhimbshme u pati larguar nga Prishtina të enjten pasdite emisari i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin.
“Erdha sot në Prishtinë dhe javën e ardhshme do të udhëtoj në të gjithë rajonin për të përgatitur rezultatet konkrete për qytetarët e Ballkanit Perëndimor, për të ecur përpara në rrugën e duhur. Por për këtë duhen kompromisi dhe ndonjëherë edhe gatishmëria për lëshime, për të rënë dakord për marrëveshje politike, të cilat nuk janë të lehta për Serbinë, dhe nuk janë të lehta as për Kosovën”, është shprehur Sarrazin.
Veç Sarrazinit një ditë më herët në Kosovë qëndroi edhe ndihmëssekretari i NATO-së për operacione, Thomas Goffus, ku temë diskutimit ishte çështja e urës mbi lumin Ibër. NATO-ja, BE-ja dhe QUINT-i i kanë bërë thirrje qeverisë së Kosovës që në rrethanat aktuale të mos e hapë urën për qarkullimin e automjeteve.