Kompanitë e sektorit minerar shfrytëzuan përtej limiteve të lejuara resurset natyrore pas lirimit nga pagesa e rentës minerare. Sipas Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale, këto kompani eksploatuan rreth 1 milion metra kub më shumë sesa në pesë muajt e parë të vitit paraprak
Nga janari deri në maj të vitit 2021, operatorët ekonomikë të sektorit minerar u liruan nga pagesa e rentës minerare me Ligjin për rimëkëmbje ekonomike. Për këta pesë muaj, resurset natyrore u shfrytëzuan në masë shumë më të madhe nga këto kompani, krahasuar me të njëjtën periudhë të viteve paraprake. Kjo mbështetet edhe me të dhënat që Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale i ka ofruar KOHËS.
Përderisa masa vëllimore e nxjerrë për pesë muajt e parë të vitit 2020 ishte 1 milion e 794 mijë metra kub, në të njëjtën periudhë kohore në vitin 2021, kur operatorët u liruan nga pagesa e rentës, ata nxorën material në sasinë prej 2 milionë e 764 mijë metra kub. Kjo, pa llogaritur masën vëllimore të nxjerrë nga 25 deri më 31 maj, pasi që siç thotë KPMM-ja, të dhënat nuk kanë hyrë në sistem. Kjo konfirmon edhe rritjen e vëllimit të punës së këtij sektori.
KOHA ka raportuar edhe më parë sa i përket lirimit nga pagesa e rentës minerare, ku për periudhën janar - maj 2021, buxheti i Kosovës nuk do të arkëtonte rreth 13 milionë euro nga kjo pagesë. Mirëpo, me masën vëllimore që është nxjerrë gjatë kësaj kohe, operatorët e sektorit minerar do të duhej të paguanin më shumë tantiemë. Këto të dhuna nuk u ofruan nga ana e KPMM-së.
“Të dhënat mund t’i merrni pas deklarimit deri më datë 31.07.2021 (TM2 2021)”, thuhet në përgjigjen e këtij institucioni.
Komisioni për Miniera dhe Minerale, me qëllim që të frenonte punën përtej standardeve të lejuara kishte nxjerrë edhe një vendim që i obligonte kompanitë të punonin vetëm sipas planit të tyre vjetor. Por, bazuar në të dhënat e ofruara, del që vendimi nuk u respektua. Për këtë, Dardan Abazi nga INDEP kërkon nga KPMM-ja që të monitorojë dëmet e shkaktuara.
“Ne i bëjmë thirrje Komisionit për Miniera dhe Minerale, që të shtojë aktivitetin monitorues në këtë kohë, në mënyrë që të shohë se cilat kanë qenë nga ky eksploatim që siç duket ka qenë në rritje i resurseve minerare, të shohim se a ka pasur dëme në shtretërit e lumenjve të Kosovës, dëme në tokën bujqësore dhe dëme të tjera mjedisore të cilat kanë mundur të shkaktohen”, u shpreh Abazi.
Ai ka shtuar se masa e lirimit nga pagesa e rentës minerare ka pasur për qëllim rikurperimin e sektorit minerar, por që sipas Abazit, kjo nuk ka qenë e nevojshme. “Nuk ka pasur se çfarë të rikuperohet në sektorin minerar, sepse i gjithë aktiviteti ka qenë duke shkuar pa pengesa dhe të dhënat e vitit 2020 tregojnë se nuk ka pasur ndonjë dëm të theksuar të aktivitetit minerar. Kanë qenë shifra kryesisht të njëjta që tregojnë se aktiviteti minerar ka qenë duke vazhduar, pavarësisht pandemisë”, ka thënë Abazi.
Këtë masë e kishte kundërshtuar edhe Lëvizja Vetëvendosje në kohën kur u votua Ligji për rimëkëmbjen ekonomike i cili mundësonte që kompanitë e sektorit minerar të liroheshin nga pagesa e rentës minerare. Madje, pas marrjes së detyrës si ministër i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati në DESKU të KTV-së tha se do të shikojnë mundësinë që të bëjnë plotësim/ndryshimin e këtij ligji, në mënyrë që sa më shpejt të hiqet masa e lirimit. Mirëpo, për këtë qëllim nuk pati iniciativë as nga ministria e as nga ana e Kuvendit të Kosovës.
Sipas Ligjit për rimëkëmbjen ekonomike, nga pagesa e rentës minerare, operatorët e këtij sektori lirohen nga data 01.01.2021 deri më 31.05.2021.
KPMM-ja monitoron 133 licenca të hulumtimit, 212 licenca të shfrytëzimit si dhe 321 leje të fabrikave për përpunim të resursit. Nga këto kompani dhe për këto licenca, buxhetit të Kosovës i janë shtuar në vitin 2020 rreth 30 milionë euro nga pagesa e rentës minerare.