Arbëri

Kompanitë rajonale të ndara në lidhje me rritjen e tarifës për ujin

Më 31 dhjetor Autoriteti Rregullativ i Ujit do të caktojë tarifat e reja për shpenzimet e ujit për tre vjetët e ardhshëm.

Përcaktimi i tarifave do të bëhet pas diskutimeve publike me kompanitë rajonale të ujësjellësit nëpër Kosovë, bazuar në shpenzimet dhe planifikimet e tyre buxhetore.

Pas këtij takimi, KRU “Gjakova” ka propozuar që në rajonin që furnizon me ujë të rriten faturat për amvisëri e kanalizim dhe të ulen për biznese.

“Tarifa për ujë te konsumatorët e amvisërisë planifikohet të rritet për 0.01 euro, ndërsa ajo për kanalizim planifikohet të rritet për 0.07 euro. Tarifa për ujë për biznese dhe institucione do të zvogëlohet për 0.10 euro, ndërsa ajo për kanalizim do të rritet për 0.14 euro”, thuhet në propozimin e KRU “Gjakova”.

Rritjen e njëjtë e ka propozuar edhe KRU “Prishtina”.

“Ne me këto tarifa kemi arritur që të funksionojmë dhe të mirëmbajmë sistemin. Mirëpo kompania jonë dhe të gjitha kompanitë e tjera rajonale duhet të kihet parasysh që nuk jemi kompani profitabile, por kërkojmë qëndrueshmëri financiare me të cilat përkthehen në investime kapitale. Tarifat që janë aktualisht, çmimi është 0.43 centë për 1 mijë litra ujë ose një metër kub pa TVSH. Me këto tarifa të ulëta nuk arrijmë as një për qind të infrastrukturës me ripërtërirë”, ka thënë Sokol Xhafa, UD. kryeshef ekzekutiv, KRU “Prishtina.

Kjo kompani ka propozuar që tarifat për ujin e pijshëm dhe kanalizim të rriten për një cent për amvisëri e për bizneset të ulen për dy centë.

Nga KRU “Hidrodrini” në Pejë kanë thënë që nuk do të ketë rritje të çmimit nga tarifat aktuale, por që në planin e tyre për tre vjetët e ardhshëm parashihet rritje e tarifës për kanalizim.

“U konkludua se plani tarifor i shpenzimit të ujit, në periudhën e ardhshme trevjeçare, (01.01.2022 – 31.12.2024) në tërë zonën e mbulueshmërisë, komunat Pejë, Istog, Deçan, Klinë dhe Junik, nuk do të ketë rritje çmimi nga tarifat aktuale 2021, duke mbetur kështu edhe tarifa më e ulët në nivel vendi, në raport me rajonet e tjera, kjo si rezultat i performancës dhe qëndrueshmërisë financiare të KRU ‘Hidrodrini’”, është thënë nga “Hidrodrini”.

Se faturat do të mbesin të njëjta kanë thënë edhe nga KRU “Mitrovica” e “Hidroregjioni Jugor” në Prizren. Por të njëjtët parashohin rritje të tarifave në kanalizim, që rrjedhimisht rrit faturimin e shpenzimeve të ujit.

“Ndërsa sa u përket tarifave, ato i përcakton ARRU; Autoriteti Rregullator për Ujëra, mirëpo në bazë të planifikimit tonë nuk është paraparë të ketë ngritje të tarifave”, thuhet në deklaratën e KRU “Mitrovica”.

“Duke i marrë parasysh të gjithë faktorët të cilët ndikojnë drejtpërdrejt në përcaktimin e tarifave të ujit, Kompania është e mendimit që tarifat ekzistuese do të jenë të mjaftueshme për t’i arritur të gjitha objektivat minimale të parapara edhe në Planin e Biznesit për periudhën 2022-2024”, është thënë nga Hidroregjioni Jugor – Prizren.