Arbëri

Kompanitë që transportuan serbët në Beograd: Nuk e kemi ditur për tubimin e Vuçiqit

Kompanitë që transportuan serbët në Beograd

Disa kompani transportuese nga Kosova janë angazhuar në bartjen e qytetarëve serbë të Kosovës për në Beograd, ku po mbahet tubimi i ftuar nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq. Të kontaktuara nga KOHA, disa nga këto kompani nuk treguan se nga kush janë kontraktuar për ta bërë transportimin

Disa kompani transportuese nga Kosova i kanë dërguar qytetarët serbë të Kosovës në Beograd në tubimin e ftuar nga lideri serb, Aleksandar Vuçiq. Sipas mediave serbe, rreth 200 autobusë janë nisur nga Mitrovica e Veriut, Graçanica, Leposaviqi, Zubin-Potoku e Shtërpca për të marrë pjesë në tubimin që është cilësuar kundërpërgjigje ndaj protestave të organizuara disa ditë me radhë kundër Vuçiqit në Serbi.

Transporti i tyre u raportua se është mbuluar nga shteti i Serisë, ndërkaq një pjesë e madhe e kompanive transportuese ishin me pronarë shqiptarë nga Kosova. Përfaqësuesit e kompanive nuk kanë treguar se nga kush janë kontraktuar.

Naser Januzi nga kompania “Barileva Turist” ka thënë se kanë qenë të kontraktuar nga një kompani vendore për transport.

“Normal që të kontraktuar. Se pa kontraktim ne nuk kishim ditë as ku me shku a për çka me shku”, ka thënë ai.

I pyetur se kush ju ka kontraktuar, ai ka thënë se janë agjencitë turistike.

“Autobusi për atë është, për njerëz është. Nuk ka lidhje a janë serbë, a janë shqiptarë a boshnjakë. Kushdo që t’na thirrë ne shkojna, pa dallim. Pyetni pikat kufitare, ata ua japin numrin diku prej 400 autobusëve të Kosovës”, ka deklaruar Januzi.

Disa nga kompanitë kanë thënë se nuk kanë qenë në dijeni se për çfarë janë duke shkuar qytetarët serbë atje. Imer Thaçi nga “Kaltrina Travel” ka thënë se ia ka dhënë autobusin me qira një kompanie vendore dhe se nuk e ka idenë se për çfarë e ka përdorur.

“Me kë janë marrë vesh a çka kanë bë, nuk e di. As që e kam ditë që ka shku atje”, ka deklaruar ai.

Driton Bytyqi nga “Shetit.com” ka thënë se nuk ka pasur informata lidhur se për çfarë po dërgohen serbët e Kosovës atje.

“Neve më së pari na u ka dhënë informata që duhet me shku për andej, për me pasë me shku autobus andej. A keni autobusa të lirë? Po. Kemi pasur. Ne nuk kemi pasur informata se kush ka me mbajtë tubim, sot e mora vesh”, ka theksuar ai.

KOHA ka kërkuar informata nga Policia e Kosovës se sa ka qenë numri i autobusëve dhe qytetarëve që kanë kaluar kufirin me Serbinë, por që nuk ka marrë përgjigje gjatë të premtes. Presidenti Aleksandar Vuçiq i përballur me presionin në rritje brenda Serbisë ka thënë se ky do të jetë tubimi më i madh ndonjëherë i organizuar në Serbi. Madje, ai ka paralajmëruar se mund të dorëhiqet krejt qeveria dhe se zgjedhjet e jashtëzakonshme mund të shpallen për muajin shtator.

E në protestën e opozitës në Beograd, e mbajtur një javë më parë, është kërkuar dorëheqja e dy ministrave dhe heqja e licencave ndaj dy televizioneve serbe, të cilat, sipas tyre, promovojnë dhunën dhe lartësojnë figurat e krimit. Reagimi i opozitës dhe shoqërisë civile në Serbi u nxit pas dy sulmeve me armë zjarri ku mbeten të vrarë 18 persona e pati edhe shumë të plagosur. Viktimat shumica ishin fëmijë.