Arbëri

Kompanitë ndërtuese ankohen për mungesë të punëtorëve

Përveç emigrimit, mungesa e fuqisë punëtore në sektorin e ndërtimtarisë, sipas Shoqatës së Ndërtimtarëve, ka të bëjë me atë që të rinjtë po e shohin si profesion të rëndë. Përfaqësues të kompanive të ndërtimit thonë se pagesa nuk është shkaktar i largimit të punëtorëve nga ky sektor. Ndërsa në Sindikatën e Pavarur të Sektorit Privat fajin ua lanë vetë bizneseve, që, sipas tyre, nuk po krijojnë kushte për punëtorët

Florinda Abazi

Përfaqësues të kompanive të ndërtimit janë ankuar për mungesë të fuqisë punëtore.
Sipas tyre, kjo është pasojë e emigrimit të tyre për punësim në vendet e BE-së, sidomos pas liberalizimit të vizave.

Muhamet Gashi, përfaqësues i njërës nga kompanitë më të mëdha në Kosovë, thotë se në fillim të vitit janë përballur me një krizë të madhe të fuqisë punëtore, por me kalimin e kohës situata është stabilizuar. 

Ndër të tjera, ai përmend edhe arsyet që thonë punëtorët kur vendosin të largohen. 

“Arsyet kanë qenë ndër më të ndryshmet. Besoj arsyeja më e fortë është të shkojmë ta provojmë Perëndimin. Edhe ta shohim pak se qysh me thanë na është bërë pak monoton Kosova. S’ka kurrgjë këtu”, ka thënë Gashi.

Ai ka thënë se pagesa nuk është shkaktar i emigrimit të punëtorëve nga ky sektor. 

Për kryetarin e Shoqatës së Ndërtimtarëve, Faton Hoxha, mungesa e fuqisë punëtore në këtë sektor është sfidë e kamotshme.

Ai përmend disa arsye të tjera pse ka mungesë të punëtorëve në sektorin e ndërtimtarisë. 

“Mungesa e punëtorëve në sektorin e ndërtimit nuk është problem i shfaqur tani, ka kohë që ka mungesë të punëtorëve. Kjo më shumë për sasinë e madhe të ndërtimeve gjithandej në Kosovë dhe po ashtu se ndërtimtaria është profesion i rëndë dhe të rinjtë po zgjedhin profesione më të lehta”, ka thënë Hoxha.

E në Sindikatën e Pavarur të Sektorit Privat fajtor për mungesën e punëtorëve i bënë bizneset dhe pronarët e tyre.

Kryetari i saj, Jusuf Azemi, thotë se punëtorëve s’po iu krijohen kushtet e duhura për funksionim.

“Ikja e fuqisë punëtore është për shkak të veprimtarëve, pronarëve të kompanive. Këta nuk i kanë krijuar kushtet dhe ata është dashur të ikin. Është shumë joparimore të lidhen me fuqinë punëtore, le të lidhen me bizneset e tyre”, ka thënë Azemi.

KOHA ka pyetur edhe Agjencinë e Statistikave të Kosovës për numrin e emigrimeve të qytetarëve në vitet e fundit, mirëpo i është thënë që këto informata mund t’i ketë vetëm pasi të dalin rezultatet e regjistrimit të popullsisë për 2024.

Disa vende anëtare të Bashkimit Evropian kanë shprehur shqetësime për rritjen e numrit të azilkërkuesve krahasuar me vitin e shkuar, kur nuk kishte liberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës. 

Në raportin e Komisionit Evropian, megjithëse është konstatuar se Kosova është duke vazhduar t’i përmbushë kriteret për liberalizim të vizave, theksohet se ka pasur rritje prej 108 për qind të azilkërkuesve krahasuar me një vit më parë. 

Së fundmi, disa përfaqësues të kompanive vendore kanë treguar se në mungesë të punëtorëve vendës janë detyruar të punësojnë persona nga shtete të tjera, të cilat kryesisht janë shtete të Lindjes, si Bangladeshi e Nepali.