Arbëri

Kompania që e fitoi tenderin për çizmet në FSK dyshohet se është në listën e zezë të Turqisë

Ministria e Forcës së Sigurisë e Kosovës furnizimin me çizme për ushtarët e saj ia ka besuar një kompanie, kredibiliteti i së cilës dyshohet se është kontestuar në vendin ku ajo e ka origjinën.

Tenderi prej rreth 1.5 milionë eurosh i furnizimit me çizme ushtarake për nevojat e FSK-së i është dhënë konsorciumit të kompanive “Runway ShPK” e 
“Genç Taahhut Gijim Tekstil”.

Bazuar në dokumentet që i ka siguruar KOHA, partneri turk i konsorciumit fitues ka rreth 2 muaj që është përfshirë në listën e zezë të Turqisë. Kjo dëshmohet edhe në ueb-faqen e institucioneve turke në të cilën theksohet se për këtë kompani ka një ndalesë që ka hyrë në fuqi janarin e sivjetmë e do të vlejë deri në janarin e 2025-s.

Në pikën 3 të dokumentit shkruan se administrata që është marrë me tenderin është nga Ministria e Punëve të Brendshme e Drejtoria e Përgjithshme në Departamentin e Mbështetjes së Sigurisë.

Tenderi i FSK-së është nënshkruar para disa javësh. Në Ministrinë e Mbrojtjes kanë thënë për KOHËN se nga konsorciumi i kërkuan dokumentet që i parasheh ligji për procesin e prokurimit, pa specifikuar nëse kanë konfirmim apo jo që kompania ka ndalesë për pjesëmarrje në tenderë.

“Gjatë zhvillimit të procedurave të prokurimit ne si AK veprojmë sipas LPP-së ku, ndër të tjera, para njoftimit mbi vendimin e AK-së gjithmonë kërkohen. Dokumentet të cilat dëshmojnë për përmbushje të kërkesave të pranueshmërisë si në vijim: Vërtetimin nga Administrata Tatimore, vërtetimin nga Gjykata Themelore, kërkesa këto që vendosen në dosjen e tenderit, gjegjësisht pranueshmëria e operatorëve ekonomikë – kërkesat e përshtatshmërisë. Ne si AK kemi vepruar sipas legjislacionit në fuqi dhe po ashtu kemi respektuar në vazhdimësi vendimet e Organit Shqyrtues të Prokurimit”, thuhet në përgjigje.

Por në nenin 65 të Ligjit të Prokurimit Publik, kompani të papranueshme për pjesëmarrje në tenderë konsiderohen jo vetëm ato që janë dënuar në gjykatë, por edhe të sanksionuarat nga agjencitë administrative.

“Operatori ekonomik nuk ka të drejtë që të marrë pjesë në një aktivitet të prokurimit ose të marrë pjesë në ekzekutimin e ndonjë kontrate publike, nëse operatori i tillë ekonomik, ndonjë punonjës, drejtues, menaxher ose drejtor i saj është konstatuar nga një gjykatë kompetente, agjenci administrative ose organizatë për zbatimin e standardeve të sjelljes profesionale, se është sjellë në mënyrë joprofesionale”, thuhet në nenin 65 të Ligjit të Prokurimit Publik.

Në ligjin aktual askund nuk thuhet që gjykata ose agjencia sanksionuese duhet të jetë brenda Kosovës. Ligji i Prokurimit në Kosovë është i hartuar bazuar në direktivën e vjetër të Bashkimit Evropian për prokurim publik.

KOHA ka dërguar pyetje edhe në emalin e kompanisë turke e edhe në emailin e kompanisë kosovare me të cilën është në konsorcium, porse nga asnjëra prej tyre nuk ka marrë përgjigje që prej disa ditësh.