Edhe pse Kosovës iu ofrua mbështetje në agjendën e Ministerialit të 17 majit, parakushti i vënë për procedimin e draftstatutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe për interpretim në Gjykatën Kushtetuese ka bërë që Kosova të mos përfshihet në agjendën e ministrave të Jashtëm të Këshillit të Evropës. E, organizata të shoqërisë i janë drejtuar me një letër të hapur Këshillit në mbështetje të anëtarësimit të Kosovës në këtë institucion, duke shprehur përkushtim në mbajtjen e presionit ndaj qeverisë për t’i përmbushur obligimet, përfshirë Asociacionin
Çështja e anëtarësimit të Kosovës përfundimisht nuk do të jetë në agjendën e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës (KiE), i cili do t’i nisë punimet të enjten.
Në takimin paraprak të së martës, në nivel të përfaqësuesve të përhershëm në këtë komitet, nuk është adresuar edhe rekomandimi i Asamblesë Parlamentare të KiE-së në lidhje me aplikimin e Kosovës, kanë konfirmuar zyrtarë qeveritarë.
“Megjithëse ka mbështetje për vendosjen e anëtarësimit të Kosovës në agjendën e Ministerialit të 17 majit, qëndrimi i disa vendeve që Kosova duhet ta pranojë draftstatutin e Miroslav Lajçakut për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe ta dërgojë atë në Gjykatë Kushtetuese, në një mënyrë që është e pranueshme për Gjykatën, bëri që pika e Kosovës të mos vendoset sot në agjendën e ministrave të Jashtëm”, ka shkruar në Facebook zëvendësministri i Jashtëm, Kreshnik Ahmeti.
Që prej dorëzimit të aplikimit para dy vjetësh, në tri instanca të Këshillit të Evropës deri më tash kanë konfirmuar që Kosova duhet të bëhet anëtare e kësaj organizate. Por, siç ka shkruar Ahmeti, ka gjasa që ky votim të shtyhet.
“Shtyrja eventuale vjen si rezultat i ngatërrimit të dy proceseve të pavarura, me ç’rast Këshilli i Evropës po shfrytëzohet si levë presioni mbi Kosovën për ta pranuar draftstatutin e Lajçakut dhe për ta dërguar atë në Kushtetuese, në shpërputhje gjithashtu edhe me procesin e dialogut në Bruksel. Ky kusht i ri, i vonshëm e jo zyrtar, nuk përkon aspak me vlerat dhe parimet e Këshillit të Evropës dhe me Kartën Evropiane për Vetëqeverisje Lokale. Nëse ka një gjë nga Marrëveshja Bazike e Brukselit që do të mund të lidhej me anëtarësimin në Këshillin e Evropës është neni 4 i saj, me të cilin Serbia është pajtuar që të mos e pengojë Kosovën në anëtarësime në organizata ndërkombëtare. Siç dihet, ky nen është shkelur disa herë nga Serbia dhe kjo shkelje ka mbetur çdo herë e pa adresuar nga Bashkimi Evropian”, ka theksuar ai.
Sipas Ahmetit, shtyrja eventuale do të kufizojë mundësitë e qytetarëve, përfshirë minoritetin serb, të përdorin mekanizmat e Këshillit të Evropës, përfshirë Gjykatën e Strasburgut për t’i adresuar të drejtat e tyre. Për më tepër, ai ka thënë se shtyrja do ta dërgojë një sinjal shumë shqetësues për vendet e rajonit.
“Porosia se përputhja me vlerat e parimet dhe plotësimi i standardeve, kritereve, kushteve e parakushteve nuk janë faktorët e duhur apo të mjaftueshëm për progres në integrim në institucionet evropiane, por përmbi këto vlerësohet potenciali destabilizues, do t’i inkurajojë liderët hegjemonë në rajonin tonë përsëri, siç u inkurajuan nga pandëshkueshmëria dhe përkëdhelja vitin e kaluar”, ka shkruar ai.
Presidentja Vjosa Osmani nuk e ka përmendur përfshirjen e Kosovës në agjendën e 17 majit, pas bisedës telefonike që ka pasur me presidentin e Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, për të diskutuar rreth aplikimit të Kosovës.
“E kam cekur rëndësinë kritike për përfundimin e suksesshëm të këtij procesi, për të siguruar që të gjithë qytetarët tanë të përfitojnë sa më shpejt të jetë e mundur nga instrumentet e Këshillit. Anëtarësimi ynë nuk do të ishte fitore vetëm për të drejtat e njeriut në Kosovë, por edhe fitore për kontinentin tonë dhe vlerat mbi të cilat qëndron fuqishëm”, ka shkruar Osmani në platformën “X”.
Gjermania e Franca kanë qenë dy prej vendeve që kanë kushtëzuar anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës me dërgimin e drafstatutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe për interpretim në Gjykatën Kushtetuese. Por në raportin e Dora Bakojanisit, raportuese për Kosovën në KiE, themelimi i Asociacionit, Kosovës i përshkruhet si një “angazhim pas anëtarësimit”.
Komisioni ka rekomanduar gjithashtu që të iniciohet një procedurë monitorimi për Kosovën, për të siguruar respektimin e zotimeve dhe obligimeve që nga anëtarësimi i saj.
Por Osmani ka marrë konfirmim për mbështetjen e Kosovës nga Danimarka, pas takimit me kryeministren e këtij shteti, Mette Frederiksen.
“Përgjatë çdo etape të shtetndërtimit, mbështetja e Danimarkës për Kosovën ka qenë e palëkundur! Në takim me kryeministren e Danimarkës, Mette Frederiksen, shpreha mirënjohjen e thellë për mbështetjen e fuqishme për integrimin euro-atlantik të vendit tonë, veçanërisht për anëtarësimin në Këshillin e Evropës”, ka shkruar ajo.
E disa organizata të shoqërisë civile i janë drejtuar me një letër të hapur Këshillit të Evropës në mbështetje të anëtarësimit të Kosovës në këtë institucion.
“Anëtarësimi në Këshillin e Evropës jo vetëm që do të ndihmonte procesin e integrimit evropian të Kosovës, por edhe do të përshpejtonte demokratizimin për të përmbushur standardet evropiane. Ne gjithashtu e pranojmë se përgjegjësitë e Kosovës nuk përfundojnë me anëtarësimin. Ne jemi të përkushtuar të sigurojmë që qeveria jonë të vazhdojë të përmbushë të gjitha kushtet pas anëtarësimit. Kjo përfshin themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe”, është theksuar në letrën e nënshkruar nga 24 organizata joqeveritare nga Kosova. “Shoqëria civile në Kosovë është e përkushtuar në mbajtjen e presionit ndaj qeverisë për të përmbushur obligimet për të cilat është përkushtuar Kosova, në mënyrë të plotë dhe transparente, duke siguruar që rruga jonë drejt integrimeve evropiane të jetë në dobi të të gjithë qytetarëve të Kosovës. Ne jemi të gatshëm të mbështesim dhe avokojmë për këto synime, duke promovuar një të ardhme ku Kosova përparon si pjesë e familjes evropiane”.
Kosova nuk figuron në faqen zyrtare të Këshillit të Evropës, sipas agjendës së përditësuar.
“Agjenda do të përfshijë masat që Këshilli i Evropës po vazhdon t’i marrë në përgjigje të agresionit të plotë të Federatës Ruse kundër Ukrainës, zbatimin e Deklaratës së Rejkjavikut (miratuar në Samitin e Kryetarëve të Shteteve dhe Qeverive në 2023-tën) dhe miratimin të një Konvente për Inteligjencën Artificiale, të Drejtat e Njeriut, Demokracinë dhe Sundimin e Ligjit”, shkruan në faqen zyrtare të KiE-së.
Në fund të takimit, Lihtenshtajni do t'ia dorëzojë Lituanisë presidencën e Komitetit të Ministrave. Kryeministrja lituaneze, Ingrida Šimonyte, do t’i prezantojë prioritetet e presidencës së vendit të saj.
Shtyrja e votimit sjell paqartësi se kur do të mundë Kosova në të ardhmen të futet në agjendën e Komitetit të Ministrave. Në të kaluarën ka pasur raste të shteteve, siç është Bosnjë-Hercegovina, finalizimi i këtij procesi për të cilat ka marrë gati pesë vjet kohë.
Kosova e ka dorëzuar aplikacionin për anëtarësim në Këshillin e Evropës më 12 maj të vitit 2022, derisa më 24 prill 2023 aplikacioni i është përcjellë për konsultim sekretarit të përgjithshëm të KiE-së.
Nga 46 shtete anëtare sa janë në Këshillin e Evropës, për t’u anëtarësuar Kosovës i duhet mbështetja prej dy të tretave.