“Për të zgjeruar BE-në duhet ta thellojmë atë”, thuhet në dokumentin e Komisionit Evropian, dhe propozon që në disa fusha të miratimit të vendimeve të kalohet nga konsensusi që është tani në procesin e miratimit të vendimeve me shumicë të kualifikuar
Komisioni Evropian ka miratuar të mërkurën një dokument, i cili është plan për reforma të Bashkimit Evropian (BE) në prag të zgjerimit. Ky dokument është miratuar pikërisht një ditë përpara se për zgjerimin të diskutojnë liderët e vendeve anëtare në takimin e Këshillit Evropian që do të zhvillohet të enjten dhe të premten në Bruksel.
Por në këtë samit nuk pritet ndonjë vendim konkret, pos për nisjen e negociatave të anëtarësimit me Bosnjë-Hercegovinën.
Sa u përket reformave të brendshme të BE-së para se të zgjerohet, kjo është kërkesë e kamotshme e vendeve anëtare, por edhe e Parlamentit Evropian. Megjithatë, Komisioni ka pritur deri tash që të dalë me një propozim konkret.
Sipas propozimit të Komisionit Evropian, procesi i zgjerimit është i domosdoshëm dhe nga ky proces ka përfitime për të gjithë Evropën. Por Komisioni vlerëson se do të ketë edhe sfida për BE-në për të integruar vendet e reja anëtare, dhe këto sfida do të jenë edhe financiare, edhe politike, por edhe strukturore, pasi që BE-ja e cila e ka vështirë të miratojë vendime në nivel të 27 vendeve anëtare, do ta ketë edhe më të vështirë kur të ketë më shumë se 30 vende nëse ndërkohë nuk reformohet.
“Për të zgjeruar BE-në duhet ta thellojmë atë”, thuhet në dokumentin e Komisionit Evropian, dhe propozon që në disa fusha të miratimit të vendimeve të kalohet nga konsensusi që është tani, në procesin e miratimit të vendimeve me shumicë të kualifikuar.
Në anën tjetër Komisioni konstaton se sa i përket barrës financiare që do ta ketë BE-ja për zgjerimin e ardhshëm, kjo duhet të shqyrtohet në kornizën e ardhshme shumëvjeçare, e cila do të miratohet pas dy vjetësh.
BE-ja mendon se sanksionet ndaj Rusisë janë një temë e cila duhet të parashtrohet edhe në procesin e zgjerimit dhe të kërkohet nga ato vende që nuk i kanë mbështetur këto sanksione, që ta bëjnë një gjë të tillë, sepse kështu do ta konfirmojnë përkushtimin për të ndarë vlerat e përbashkëta të BE-së.
Deri më tash nga vendet në procesin e zgjerimit, vetëm Serbia dhe Turqia nuk i kanë mbështetur këto masa. Kjo përfshihet në kuadër të pjesës së dokumentit që flet për nevojën e përshtatjes së vendeve kandidate me qëndrimet e BE-së në fushën e politikës së jashtme.
Po ashtu, Komisioni Evropian propozon që gradualisht vendet e procesit të zgjerimit të integrohen në disa politika të Bashkimit Evropian edhe para se të bëhen formalisht vende anëtare.
Në kohën kur vendet e Bashkimit Evropian po përgatiten për zgjerim, porosisin vendet kandidate që para se të bëhen anëtare të Bllokut, të zgjidhin problemet që kanë mes vete. Kjo, për shkak se BE-ja nuk dëshiron të importojë probleme të pazgjidhura në mes të vendeve të cilat synojnë anëtarësimin në BE. Kështu vlerëson Komisioni Evropian, kësisoj fqinjësia e mirë do të mbetet kusht për procesin e zgjerimit të BE-së.
Pas miratimit të këtij dokumenti nga Komisioni Evropian, për reformat e brendshme të BE-së në prag të zgjerimit do të diskutojnë edhe vendet anëtare në Këshill.