Koalicioni i organizatave joqeveritare për mbrojtjen e fëmijëve në Kosovë, KOMF, ka kërkuar rikthimin e Ministrisë për mirëqenie sociale.
“KOMF konsideron se mirëqenia dhe shërbimet sociale duhet të jenë prioritet dhe një ndër shtyllat kryesore të programit të qeverisë, kjo për shkak të rëndësisë dhe nevojës për ndërhyrje në këtë fushë. Prandaj kjo duhet të reflektohet edhe në ndarjen e ministrive, specifikisht në krijimin e Ministrisë që do të ketë në protfolio politikat dhe mirëqenien sociale, shërbimet sociale, mbrojtjen e fëmijëve, fuqizimin e familjeve, etj”, thuhet në njoftimin e KOMF-it drejtuar subjekteve politike.
KOMF-i ka vlerësuar se ky sektor është ndër ata që kanë më së shumti nevojë për ndërhyrje dhe investime. Sipas të dhënave të KOMF-it, shteti s’e ka prioritet dhe s’ka politika e programe të mjaftueshme për mbrojtjen e fëmijëve dhe fuqizimin e familjeve. “Në anën tjetër, kërkesat për shërbime nga qytetarët në nevojë janë në rritje të madhe viteve të fundit”, thuhet në komunikatë.
“Prandaj, KOMF kërkon proritizimin e mirëqenies sociale, fuqizimin e familjes dhe mbrojtjen e fëmijëve, përmes krijimit të Ministrisë së veçantë për këto fusha shumë të rëndësishme. KOMF kërkon që në kuadër të kësaj ministrie, të rikthehen si sektori i politikave dhe skemave sociale, ashtu edhe ai i shërbimeve sociale. Në të gjitha praktikat, në emër të interesit më të mirë të qytetarëve në nevojë për shërbime dhe mbrojtje, skemat sociale shërbejnë si një instrument apo masë, e cila është një ndër format e shërbimeve sociale, dhe e cila krahas formave të tjera të këtyre shërbimeve, synon fuqizimin e individit dhe familjes”, thuhet më tej në kërkesë.
KOMF-i ka alarmuar se të dhënat tregojnë që dhuna dhe ndëshkimi i fëmijëve po vazhdon të praktikohet në masë të madhe dhe se 72% e fëmijëve në Kosovë disiplinohen përmes formave të dhunshme. Pesë për qind e fëmijëve punojnë punë të rënda ndërsa vetëm 10 për qind e fëmijëve me aftësi të kufizuara përfitojnë nga shërbimet shëndetësore dhe sociale cilësore.
“Fëmijët pa përkujdesje prindërore vazhdojnë të mbesin pa shtesa të fëmijëve dhe pa përkrahjen financiare që qeveria ka ndarë për fëmijët, gjatë viteve të fundit”, thuhet në reagimin e KOMF-it.
Sipas KOMF-it, janë mbi 30 mijë fëmijë që përdorin narkotikë. Mosha mesatare e fillimit të përdorimit të drogave ka rënë nga 18 vjeç në vitin 2018, në 16 vjeç në periudhën e fundit. Ky koalicion i ojq-ve ka thënë po ashtu se numri i fëmijëve në konflikt me ligjin është në rritje. Sipas KOMF-it, gjatë 2023-s, numri i fëmijëve në konflikt me ligjin, raportuar nga Policia e Kosovës, ka qenë 2.175 fëmijë, ndërsa numri i kallëzimeve penale të kryesve të mitur të pranuara gjatë 2023, është rritur për 18.00%, krahasuar me 2022.
“Shteti është përgjegjës për mirëqenien sociale, organizimin e ofrimit të shërbimeve sociale dhe familjare në Kosovë dhe për të siguruar që të gjithë banorët e Republikës së Kosovës të kenë qasje të barabartë në shërbime sociale dhe familjare pa asnjë dallim. Shteti ka për detyrë të ofrojë shërbime sociale dhe familjare bazuar në legjislacionin në fuqi dhe në konventat ndërkombëtare mbi të drejtat e njeriut”, përfundon reagimi.
Kjo ministri ndaloi së vepruari si e vetme në kohën kur koalicioni i Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës i fuzionoi ministritë më 2020.