Arbëri

Komandanti i KFOR-it: Vazhdimi i dialogut Kosovë-Serbi, thelbësor e domosdoshmëri politike

Ozkan Ulutas

Komandanti i misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, Oezkan Ulutash, ka thënë se vazhdimi i dialogut Kosovë-Serbi mbetet thelbësor dhe se është i mundur, por që sipas tij, kërkon guxim dhe përkushtim nga të dyja palët. 

Kështu është shprehur ai nga selia e NATO-s në Bruksel, gjatë fjalimit të tij për përmbylljen e mandatit si komandant i KFOR-it. 

Ulutash ka thënë se dialogu nuk është thjeshtë domosdoshmëri politike. 

“Pavarësisht dallimeve të tyre, të gjitha komunitetet në Kosovë ndajnë shpresën e përbashkët për të ardhme paqësore dhe të begatë. Tensionet ende ziejnë dhe mosbesimi midis komuniteteve pengon përparimin. Dialogu politik ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës vazhdon të përballet me pengesa. Në këtë drejtim, NATO-ja dhe KFOR-i mbështesin plotësisht dialogun e lehtësuar nga BE-ja për zgjidhje të qëndrueshme të çështjeve në pritje. Mbetem optimist se - me durim, këmbëngulje dhe qëndrim konstruktiv nga të gjitha anët – këto pengesa mund të kapërcehen”, ka shtuar ai. 

Ai tutje ka bërë thirrje për komunitetet në Kosovë që t’i vazhdojnë përpjekjet për mirëkuptim dhe bashkëpunim. 

“Kjo përvojë më ka thelluar të kuptuarit se sa kritike janë bashkëpunimi dhe besimi për ruajtjen e paqes në mjedise komplekse. I bëj thirrje të gjitha komuniteteve që të vazhdojnë përpjekjet për mirëkuptim dhe bashkëpunim. Vazhdimi i dialogut politik ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit mbetet thelbësor dhe besoj fort se është e mundur. Megjithatë, kjo kërkon guxim dhe përkushtim të vërtetë nga të dyja palët. Ky dialog nuk është thjesht një domosdoshmëri politike, por edhe morale për hir të brezave të ardhshëm”, ka shtuar ai.

Komandanti i misionit të Aleancës Veriatlantike në Kosovë tutje ka thënë se kanë parandaluar rreziqe për krijim të situatave që mund të çonin në incidente apo përshkallëzim. 

Pas marrjes së detyrës të Ulutashit në krye të KFOR-it, ky mision pati katërfishuar praninë në veri të vendit, ndërsa patën trefishuar numrin e patrullimeve, përfshirë ato përgjatë vijës kufitare me Serbinë.

“Pas ngjarjes së 24 shtatorit, NATO ka dislokuar gati 1000 trupa shtesë në KFOR. Ne kemi katërfishuar praninë e KFOR-it në veri të Kosovës dhe kemi trefishuar numrin e patrullimeve, duke përfshirë edhe përgjatë vijës kufitare administrative. Këto janë hapa të kujdesshëm për të siguruar që KFOR-i të vazhdojë të përmbushë mandatin e tij - bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999 - për të siguruar mjedis të sigurt, për të gjithë njerëzit në Kosovë, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme”, pati thënë ky mision për KOHËN atëkohë.

Gjeneralmajorit Ulutash i përfundon mandati më 11 tetor 2024. Ai do të pasohet nga gjeneralmajor Enrico Barduani, nga Italia. 

NATO: Serbia të ndihmojë që autorët e sulmit në Banjskë urgjentisht të sillen para drejtësisë

6 muaj më parë / 25 sht 2024 19:11
Manastiri i Banjskës

NATO-ja ka thënë se përgjegjësit për sulmin në Banjskë të Zveçanit në shtator të vitit të kaluar, duhet që urgjentisht të sillen para drejtësisë.

Në një komunikatë të  NATO-s, të mërkurën mbrëma, ku tregohet se komandanti Ozkan Ulutash ka takuar ambasadorët e NATO-s, thuhet se Serbia duhet të ndihmojë në sigurimin e përgjegjësisë së plotë për këtë rast. 

“KFOR-i synon të sigurojë që sulme të tilla të mos përsëriten. Është e rëndësishme që të dyja palët të përmbahen nga veprimet e pakoordinuara, të cilat mund të nxisin tensionet, të rrezikojnë sigurinë ose të rrezikojnë ushtarët e KFOR-it. NATO-ja vazhdon të mbështesë dialogun e lehtësuar nga BE-ja si kornizë për të arritur zgjidhje afatgjatë dhe të qëndrueshme që respekton të drejtat e të gjitha komuniteteve”, thuhet në komunikatën e NATO-s. 

Gjeneralmajori Oezkan Ulutash do të largohet nga posti më 11 tetor 2024. Ai do të pasohet nga gjeneralmajor Enrico Barduani, nga Italia.