Kryeministri Albin Kurti ka pritur të martën në takim lamtumirës komandantin e KFOR-it në largim, Oezkan Ulutash.
Zyra e Kryeministrit ka njoftuar se ky ishte takimi i pestë zyrtar i tyre gjatë vitit.
“Duke e falënderuar komandantin e KFOR-it, Ulutash për kontributin e shërbimin e tij në fushën e sigurisë, kryeministri Kurti shprehu vlerësimin e lartë për bashkëpunimin e ngushtë, komunikimin, koordinimin dhe bisedat përherë të sinqerta e në frymën e sinergjisë për ruajtjen e paqes e sigurisë”, thuhet në njoftimin e ZKM-së.
Pas largimit të gjeneralmajorit Ulutash, në krye të KFOR-it do të vijë gjeneralmajori Enrico Barduani, i cili do ta kryesojë KFOR-in nga 11 tetori.
