(E përditësuar 21:21) - Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Ozkan Ulutash, të premten në takim me kryeministrin Albin Kurti, ka thënë se autoritetet e Kosovës duhet të shmangin veprimet e njëanshme që përkeqësojnë tensionet, pas operacionit të policisë ndaj ndërtesave të Bankës Postare Kursimore të Serbisë në veri të vendit.
Sipas njoftimit të KFOR-it, Ulutash ka vënë në dukje se "veprimet e njëanshme që mund të përkeqësojnë tensionet duhet të shmangen dhe se duhet të ruhet koordinimi i duhur mes të gjithë aktorëve përkatës".
Ulutash, siç thotë njoftimi, përsëriti përkushtimin e palëkundur nga i gjithë personeli i KFOR-it për të vazhduar zbatimin e mandatit “për mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme”.
Ulutash i ka thënë Kurtit se NATO-ja vazhdon ta mbështesë dialogun e Bashkimit Evropian si mënyra e vetme për të zgjidhur çështjet me Serbinë, "për të mirën e të gjitha komuniteteve".
Komandanti turk e bëri të qartë se “roli i KFOR-it vazhdon të jetë thelbësor për stabilitetin rajonal dhe se misioni i udhëhequr nga NATO ruan qëndrim fleksibël”.
Ulutash kujtoi se KFOR-i është katërfishuar me trupa që pas tensioneve në veri vitin e kaluar.
Policia e Kosovës ka mbyllur të hënën gjashtë njësi të Bankës Postare Kursimore në veri, të cilat kanë vepruar ilegalisht që nga paslufta. Në to u konfiskuan rreth 1.6 milionë euro.
Përmes Bankës Kursimore distribuohen pagat, pagesat për skemat sociale dhe beneficionet tjera që Serbia i ndan për serbët e Kosovës në dinarë.
E aksioni u ndërmor pak ditë pasi dështoi edhe takimi i shtatë në Bruksel për gjetjen e një zgjidhjeje sa i përket dinarit në mesin e komunitetit serb.
Sipas rregullores së BQK-së, që u miratua në shkurt të këtij viti, valuta me të cilën mund të kryhen pagesat me para të gatshme është vetëm euro.
Ndaj aksionit reagoi edhe Departamenti Amerikan i Shtetit që e cilësoi veprimin si përshkallëzues të tensioneve. Reagim të ngjashëm pati edhe Bashkimi Evropian.
E nga Qeveria kanë thënë se operacioni është përpjekje për të shtrirë sovranitetin në të gjithë territorin.
Edhe Kurti takon komandantin e KFOR-it, siguria në vend temë e diskutimit
(20:44) - Kryeministri Albin Kurti së bashku me ministri e Brendshëm, Xhelal Sveçla, të premten janë takuar me komandantin e KFOR-it, gjeneralmajor Ozkan Ulutash, me të cilën diskutuan për sigurinë në Kosovë.
Sipas njoftimit të Kryeministrisë, bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe KFOR-it dhe situata e sigurisë në vend ishin temat e diskutimit.
“Në takim u vlerësua se komunikimi dhe takimet e rregullta janë në shërbim të bashkërendimit sa më të mirë ndërmjet institucioneve të sigurisë. Kryeministri e falënderoi komandantin Ulutas për bashkëpunimin e mirë, për rolin dhe kontributin e tij dhe të KFOR-it për sigurinë dhe paqen”, thuhet në njoftim.
Më herët gjatë ditës edhe presidentja Vjosa Osmani mirëpriti në takim Ulutashin.
LEXO EDHE: