Ish-komandanti i UÇK-së në Rahovec, Ismet Tara, ka refuzuar t’u përgjigjet pyetjeve të Prokurorisë në gjykimin e ish-udhëheqësve të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së në Hagë. Ai i kërkoi Gjykatës Speciale që t’ia tregonte dokumentin që tha se iu shfaq në vitin 2019, përndryshe nuk do të dëshmonte. Atij iu shfaqën dokumente e deklarata të shumta, por ai insistoi se nuk është dokumenti për të cilin e pati fjalën. Pyetjeve të Prokurorisë Tara nuk iu përgjigj, pavarësisht se gjykata i dha urdhër t’u përgjigjej.
Ismet Tara, i njohur gjatë luftës si Komandant Hoxha, ka refuzuar t’u përgjigjet pyetjeve të Zyrës së Prokurorit të Specializuar në rastin ku ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe ish-shefi i Grupit Parlamentar të LVV-së, Rexhep Selimi, po gjykohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare në Rahovec kërkoi pa reshtur që t’i vendosej në ekran një dokument që ZPS-ja tha se ia tregoi në vitin 2019, për të cilin theksoi se e ka rrezikuar jetën e tij dhe të familjes së tij.
Ky dokument Tara tha se ia ka njollosur figurën e tij.
“Mund të kërkoni ju çdo gjë, por unë prej këtij momenti në qoftë se ai dokument që ka ngritur shqetësimin tim, që ka rrezikuar jetën time dhe të 10 familjarëve të mi dhe që mua në atë dokument jam përshkruar si tradhtar i kombit tim, tradhtar i UÇK, tradhtar i dëshmorëve dhe heronjve të mi dhe të gjithë asaj popullate të masakruar e të larguar nga Kosova unë nuk do të japë asnjë njohuri pa u shqyrtuar ky dokument dhe pa u pastruar komandant Hoxha. Ta dini tani që prej këtij momenti nuk flas më asgjë”, tha Tara.
Dëshmitari pretendoi se ka manipulime në deklaratat e tij, duke i përfshirë edhe ato që i ka marrë ZPS-ja.
“Unë jam në gjendje të përgjigjem çdo pyetjeve të juaj, por pas shfaqjes së këtij dokumenti, pas diskutimit të këtij dokumenti se çfarë kanë bërë ata ish-hetues të mi që unë për vete e quaj nëse ato janë shënimet e tija kriminelë, kriminelë hetues të cilët më kanë rrezikuar mua, 10 anëtarë të familjes time dhe më kanë shpallur tradhtar të kombit tim, me një dokument që unë kurrë nuk e kam lexuar, kurrë nuk e kam nënshkruar dhe kurrë nuk më është paraqitur mua”, tha Tara.
Prokurorja Vega Iodice ia shfaqi dëshmitarit disa dokumente, por Tara tha se nuk është dokumenti që ai po e kërkon.
Ajo ia dha një dokument të 2019-s fizikisht para vetes, por dëshmitari tha përsëri se nuk është ai që po e kërkonte, derisa në një rast hodhi dyshime se dokumenti është zhdukur.
Prokuroria Iodice e ballafaqoi dëshmitarin me një dokument të UNMIK-ut, por ai nuk e konfirmoi vërtetësinë e saj.
Në të thuhej se Tara ka deklaruar se bashkëpunëtorët e Serbisë, pavarësisht kombësisë duhet të vriteshin, se kohë pas kohe duhet të digjeshin, përndryshe trupat e atyre që i mbante UÇK-ja do të shërbenin si prova kundër saj.
Ai u pyet edhe lidhur me një dokument që ZPS-ja pretendonte se ai ka deklaruar se ia dërgoi një letër Likocit. Por dëshmitari tha se nuk e di se ku është dërguar ose nëse është dërguar në Likoc.
Prokurorja Vega Iodice tha se do ta propozojë pranimin me shkrim të pjesëve të deklaratave paraprake të dëshmitarit, ku flitet për një takim të tij me Hashim Thaçin dhe Driton Lajçin më 2019.
Dëshmitarit Ismet Tara të martën do t’i parashtrojë pyetje mbrojtja, kësaj radhe në prani të avokatit që e kërkoi vetë në fund të seancës.
