Arbëri

Kolona kilometërshe për dalje nga Kosova

Me vonesa dhe pritje për dalje nga Kosova janë përballur të enjten edhe ata qytetarë që për udhëtim kanë zgjedhur transportin rrugor. Bashkatdhetarët që zgjodhën vendlindjen për t’i kaluar festat e fundvitit edhe sivjet u përballën me pritje të gjata gjatë kthimit të tyre në vendet ku jetojnë. Në pikëkalimin kufitar në Merdar dhe te Dheu i Bardhë ata pritën deri në një orë e gjysmë e në Jarinjë rreth gjysmë ore.

Kolonë veturash deri dy kilometra e gjatë është krijuar gjatë së enjtes në pikëkalimin kufitar me Serbinë, në Merdar.

Mërgimtarët që të enjten u nisën për t’u kthyer në vendet ku jetojnë, treguan se për të dalë nga Kosova pritën rreth një orë e gjysmë.

Mërgimtari, Besnik Cikaj, që jeton në Slloveni, u ankua se rruga e kthimit po i del më e gjatë sesa që ka menduar.

“Jemi duke shku për Lubjanë, qe një ore e 20 minuta”, ka thënë ai.

Ankesa të ngjashme shprehën edhe bashkatdhetarë të tjerë.

“Na kemi ardhur prej Gjermanisë. Në Kosovë kemi qenë që dy javë edhe jemi duke prit fiks qe nja një orë e gjysmë, diçka qashtu”, ka thënë një mërgimtare.

“Qe nja një orë e gjysmë që jena tu prit. Kena me shku për Zvicër”, u shpreh një bashkatdhetare tjetër.

“Qe një orë, një orë e gjysmë jemi qetu në kolonë t’u prit…. Prej Suharekës, për në Gjermani në Munhen…… Pushimi mirë u kanë, kolona në tona anët, po mirë u kanë, mirë ke, kohë e shkurtër, viti i ri tash”, ka thënë një tjetër qytetar.

Veç pritjeve të gjata për të dalë nga Kosova, një mërgimtar që i kaloi pushimet për festat e fundvitit në Gjakovë, shprehi pakënaqësi e vërejtje edhe për mungesë të furnizimit me energji elektrike.

“Kem kaluar shumë keq pa rrymë, kjo është përshëndetje për Qeverinë që e kem, natën e vitit të ri na kanë lanë pa rrymë, ma mirë s’ka ku me shku...”, ka thënë ai.

Krahas në Merdar, sipas Qendrës Kombëtare për Menaxhim Kufitar, pritje deri në një orë e gjysmë gjatë së enjtes ka pasur edhe në pikëkalimin kufitar te Dheu i Bardhë, e në atë të Jarinjës pritjet kanë zgjatur deri në 30 minuta.