Arbëri

“Koha Ditore”, alternativë e përhershme

Në një ditë zie kombëtare, një dritare lirie po hapej në Kosovë.

Më 31 mars 1997, me faktet në bosht të çdo shkrimi, do të merrte udhë marshimi i “Kohës Ditore” me numrin 0 – që do të shpërndahej falas tri ditë me radhë. Zeroja, simbol i një kthese të madhe.

Ballina dominohej prej kryeartikullit për dhjetëra shqiptarët e vdekur në anijen e fundosur në Adriatik, pranverën e vitit më tragjik të Shqipërisë në dekadën e parë në demokraci. Kosova, në prag të shpërthimit të luftës për çlirim pas pothuajse një dekade me represion sistematik të Serbisë.

Në ballinën e numrit të parë të “Kohës Ditore” paralajmërohej kapërcimi i madh prej rezistencës paqësore në të armatosur në Kosovë. Shqiptarët e Kosovës së pushtuar po lexonin një gazetë të lirë në kohën kur po vinte era luftë. “Koha Ditore” vazhdon edhe pas një çerekshekulli misionin e saj për shoqëri të lirë që pushtetin e mban përgjegjës si vlerë të themeltë demokracie.

“Qysh në tri ditët e para kur doli ‘Koha Ditore’, në tri ditët e para ka qenë falas”, thekson Afrim Vitia, atëherë përgjegjës për shpërndarjen e gazetës, por që vullnetarisht do t’i shoqëronte gazetarët e rinj në terren gjithandej Kosovës, që i ishte shtrënguar laku në fyt. “Interesimi ka qenë jashtëzakonisht i madh. Ka qenë një lloj lirie mund të them për atë kohë, po them se e kishim vetëm ‘Bujkun’, aq sa mund të na informonte”, shton Vitia, i cili kishte punuar edhe në revistën e përjavshme “Koha”, para se të kthehej në të përditshmen e parë të pavarur në Kosovë.

“Koha Ditore” po raportonte me një stil ndryshe prej gazetarisë së deriatëhershme në Kosovë.

“Më kujtohet edhe kur janë kthyer Beni dhe Tina nga Drenica, na thanë se atje ndalej rryma dhe po na tregonin se mbrëmje natën kur ra terri, atje po vinin njerëz, formacione të armatosura, ishin ushtri”, shton Vitia, i cili u referohet Nebi Qenës e Garentina Krajës.

Revolucioni i “Kohës”

Ajo zero do të bëhej gur themeli i revolucionit të gazetarisë moderne në Kosovë. Revolucioni medial do të reflektonte gjithmbarshëm.

“Dalja e ‘Kohës Ditore’ ishte një rilindje për gazetarinë kosovare”, thotë opinionisti Imer Mushkolaj. “Dalja e ‘Kohës’ ishte alternativë, sepse solli edhe anën që zakonisht mungonte edhe në ‘Bujk’, edhe në QIK”, shton ai, duke iu referuar Qendrës Informative të Kosovës që mbulonte kryesisht aktivitetet e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Mushkolaj thotë se “Koha Ditore” sillte intervista e analiza që përfshinin këndvështrime të ndryshme, duke ruajtur gjithnjë standardet profesionale e etike të gazetarisë.

Gazeta e themeluar nga Veton Surroi do të kthehej në platformë të fuqishme, që do të sfidonte edhe politikën e lëvizjes paqësore të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Brikenda Rexhepi, kryeredaktore e grupit KOHA, thotë se “Koha Ditore” ishte kthyer në vatër të gazetarëve dhe diplomatëve të huaj sa qëndronin në Kosovë, duke u informuar për të gjitha zhvillimet në vend. Sidomos pas shpërthimit të luftës, kur ekipet e “Kohës” do të shoqëronin ekipet e mediave më prestigjioze të botës për të dokumentuar krimet serbe në Kosovë.

“Ka qenë një vend ku kanë vluar informatat dhe vendi ku qysh atëherë pati filluar të prodhojë gazetarë, një gazetari të standardeve ndërkombëtare”, thotë Rexhepi, duke shtuar se si gazeta njëherësh po përkthente të gjitha raportet, analizat e opinionet e gazetave dhe agjencive ndërkombëtare. Përkthimi pos që ua sillte shqip lexuesve pikëpamjet e botës për Kosovën, do të ndikonte njëherësh në rrënjosjen e standardeve bashkëkohore të gazetarisë perëndimore.

Dokumentimi i masakrave serbe

Fitorja e luftës kundër frikës u kishte dhënë zemër të gjithë qytetarëve se liria mund të arrihet pavarësisht çmimit. “Koha Ditore” do të dokumentonte krimet serbe në Kosovë.

Dhe më 9 mars 1998, emisari i posaçëm i SHBA-së për Kosovën, Robert Gelbard, do t’ia nxirrte Sllobodan Millosheviqit para hundëve fotografitë e masakrës në Prekaz, të shkrepura nga fotoreporteri i “Kohës Ditore”, Alban Bujari.

Vitia tregon se si me fotoreporterin e “Kohës Ditore” dhe gazetarin Naser Miftari kishin shkuar në Rogovë të Hasit për të dokumentuar masakrën që porsa e kishin kryer forcat serbe, që ende po ua hallakatnin viktimave xhepat për t’ua plaçkitur edhe pakot e cigareve. Ekipi ishte ndalur në hyrje të fshatit.

“Edhe na tha shkoni, këqyrni, edhe tha një ditë edhe ju keni me kanë qashtu”, kujton Vitia me emocione, teksa rrëfen për njërën prej masakrave më të mëdha në luftën e fundit. “Në oborrin ku ishte kryer masakra, ishin do shtëpi të vogla kur dëgjoheshin gratë dhe fëmijët duke bërtitur”.

Fred Abrahams, hulumtues i lartë i “Human Rights Watch”, që do të dokumentonte krimet serbe në Kosovë, do të deklaronte: “Gjatë epokës së Millosheviqit, Kosova ishte një vend i errët. ‘Koha Ditore’ ishte një dritë që shndriste. Dhe ajo dritë depërtonte në drejtim të policisë, ushtrisë, burgjeve dhe politikanëve, përfshirë edhe shqiptarët që udhëhiqnin apo ata që thoshin se udhëhiqnin. Për mua, si hulumtues i të drejtave të njeriut, gazeta ishte një udhërrëfyes esencial, që ndihmonte që rrëfimet e pashpresë t’ia përcillte botës”.

Vuçiqi do të humbte betejën me “Kohën”

Bota po njoftohej shqip e anglisht për situatën e Kosovës në luftë. Njoftohej edhe nëpërmjet Radios KOHA – nëpërmjet shërbimit të BBC-së, agjencisë së lajmeve në anglisht, Arta dhe edicionit anglisht me 16 faqe “KD Times”.

Më 20 mars 1999, presidenti i tanishëm i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, atëherë ministër i Informacionit i Millosheviqit, do të urdhëronte mbylljen dhe gjobitjen e gazetës, por “Koha” nuk do të zmbrapsej, duke e fituar luftën për fjalën e lirë me ministrin e propagandës serbe.

Në natën e 24 marsit 1999, kur nisën bombardimet e NATO-s, redaksia kishte përgatitur numrin e radhës, por që të nesërmen nuk do të dilte, pasi policia serbe theu zyrat e gazetës dhe vrau rojtarin Rexhep Ramadani. E dogji edhe shtypshkronjën “KOHA Print”.

“Koha Ditore” nxori një brez të ri gazetarësh për tregun e Kosovës së lirë, duke sfiduar me shkrime të faktuara ambasadat perëndimore e misionet e mëdha ndërkombëtare, bashkë me qeveritë vendore me kompetenca të kufizuara e të plota.

“’Koha’ që nga themelimi, e sidomos pas luftës, mund të konsiderohet një institucion më vete, jo vetëm në aspektin e raportimit dhe të informimit të njerëzve, por edhe të një shkolle të gazetarisë dhe më shumë se kaq”, thekson Mushkolaj.

“Koha Ditore” vazhdoi t’i mbulonte ndryshe zhvillimet politike dhe shoqërore në Kosovën me sundim të brishtë të ligjit.

Për “Kohën...” s’ka tabu

“Fakti që për ‘Kohën’ nuk ka tema tabu, qofshin zyrtarë të lartë, qofshin vendorë, qofshin ndërkombëtarë, për të cilët nuk bën të shkruhet, në qoftë se ka çka të shkruhet për ta, dhe shkrimi dhe raportimi profesional janë receta e vetme”, thotë Rexhepi.

Pos televizionit Kohavision, “Koha Ditore” eci me kohën e zhvillimit teknologjik, duke hapur portalin koha.net.

Gent Mehmeti është gazetar, i cili nga viti 2012 ka kaluar nëpër gazetë, portal e tani në televizion. Ai thotë se ndryshe nga gazeta që të ofron më shumë kohë për ta kompletuar lajmin, portali ia kërkonte shpejtësinë dhe saktësinë njëherësh.

“Ndërkaq në televizion ka më shumë punë teknike. Duhet ta përkthej, të pres derisa të redaktohet e lekturohet, pastaj ta lexoj dhe në fund ta montoj lajmin”, thekson Mehmeti, duke shtuar se përmbajtja e kompletuar është e përbashkëta e të gjitha formave të raportimit në Grupin KOHA.

Era e gazetës që i mungon gazetares së re

Për gazetarët e rinj, Grupi KOHA vazhdon të mbetet adresë për t’i zbatuar standardet e teknikave më bashkëkohore të gazetarisë. Edhe gazetarja Vlerë Mehmeti thotë se shpejtësia është kritike në portal e televizion.

“Ndërkaq për gazetë ke kohë për ta plotësuar, edhe me ndonjë informacion që nuk ke mundur ta sigurosh gjatë ditës”, thotë ajo.

Medina Pasoma, pjesë e redaksisë së kulturës në Grupin KOHA, kishte lexuar e analizuar shkrimet e kolegëve të tanishëm gjatë kohës së studimeve, kur profesorët e Departamentit të Gazetarisë u rekomandonin artikujt e “Kohës Ditore” në letër.

“Mirëpo të njëjtin fat nuk e kishim gjenerata jonë kur u punësuam”, thekson Pasoma, teksa flet për mungesën e gazetave të shtypura në Kosovë. Ajo thotë se mbase kolegët më me përvojë ishin mësuar me gazetën e shtypur. Por ajo do të donte fort që t’i kapte me duart e saj shkrimet autoriale në letër.

“Për neve që nuk i kemi parë shkrimet që qenë emocion më ndryshe dhe ndoshta edhe ajo era e gazetës na ka lanë mbresë pak më ndryshe”, thekson Pasoma.

Por “Koha Ditore” nuk shtypet prej fillimit të pandemisë dhe për shkak të vështirësisë për të mbuluar shpenzimet. Megjithatë, lexuesve u ofrohet në version PDF.

Gazetë për çdo kohë

Mushkolajt i vjen keq që Kosova është shteti i vetëm në rajon që nuk ka gazetë të shtypur. Sipas tij, kjo tregon derexhenë në të cilën është katandisur shoqëria kosovare.

“Dhe kjo në fakt tregon se si njerëzit janë të gatshëm të heqin dorë jo vetëm nga diçka që për ta është shumë e rëndësishme, po them, jo vetëm në aspektin e informimit, por edhe të një kulture shumë më të gjerë, edhe të dokumentimit të asaj që ndodh dhe kështu me radhë”, thekson ai.

Brikenda Rexhepi, kryeredaktore e Grupit KOHA, është e bindur se ruajtja e përhershme e standardeve dhe ndjenja që të krijon leximi i gazetës së shtypur do të ngrejë kërkesën për kthimin e saj në letër.

“Unë nuk dua të besoj se më nuk do të kemi letër, megjithatë gazeta si medium tradicional nuk është letra ajo që e përcakton tradicionalen, janë standardet”, thekson Rexhepi, duke shprehur zotimin se “Koha” asnjëherë nuk do të heqë dorë prej parimeve mbi të cilat është themeluar fiks 25 vjet më parë.

“Koha Ditore”, në letër apo online, gjithnjë gazetë për çdo kohë.