Drejtori ekzekutiv i Shoqatës për të Drejtat e Pacientëve, Besim Kodra, ka thënë se premtimi i partive politiket që do ta bëjnë sigurimin shëndetësor brenda mandatit të ardhshëm është gënjeshtër.
Por kjo, sipas Kodrës, nuk është e mundur.
“Kushdo që premton që do ta bëjë sigurimin shëndetësor brenda mandatit ose po gënjen ose nuk ia ka haberin kësaj pune. Jemi shumë larg. Minimumi që do duhej të llogaritej për sigurim shëndetësor është pesë vjet”, ka thënë ai në “60 Minuta” të KTV-së.
Kodra nuk pret shumë ndryshime në shëndetësi edhe gjatë mandatit të ardhshëm, bazuar në programet e partive.
“Programet janë klishe, gjëra të përsëritura. Ndërtimi i një, dy apo tre spitaleve nuk e bën reformën në shëndetësi. Spitali është mjet, jo qëllim. Me programet që i kam parë, s’besoj që do të ketë ndryshime edhe një mandat”, ka shtuar ai.
Kodra ka komentuar edhe veprimet e kësaj qeveria gjatë katër vjetëve në shëndetësi. Sipas tij, ka pasur investime të mira, por jo të duhura.
“Ka pas lëvizje të buxhetit (gjatë kësaj qeverie), kemi buxhet jashtëzakonisht më të madh dhe kjo jep impakt në kujdesin shëndetësor. Ka pas veprime të mira në shëndetësi, por ne konsiderojmë se s’kanë qenë të duhurat për ndërrimin e kahjes së kujdesit shëndetësor. Kryesisht investimet kanë qenë në mezo, në nivel institucionesh, por jo në politikat shëndetësore që i japin kahje shëndetësisë”, ka deklaruar Kodra.
Kodra nuk është i kënaqur as me prezantimin e djeshëm të “Strategjisë Sektoriale Shëndetësore 2025-2030” nga Ministria e Shëndetësisë. Sipas tij, kjo strategji u publikua për ngut. Madje, siç thotë ai, një strategji e tillë duhet të prezantohet në fillim të mandati dhe jo në fund.
“Strategjinë e pashë, ish pak anglisht, pak shqip që do të thotë se e kanë publikuar për ngut. Kishte gjëra të mira, por jo të duhura. OBSH-ja e ka miratuar një kornizë evropiane se si duhet të orientohen shëndetësitë normale. Janë tri shtylla: Popullata dhe individi, institucionet dhe institucione e tjera që kanë impakt në shëndetësi, siç është fakulteti i mjekësisë, ministria e të tjera... dhe të gjitha këto integrohen në një shërbim të cilat i shkojnë për shtati pacientit. Në Strategjinë që u prezantua dje flitet shumë pak për kujdesin e integruar shëndetësor. Fokusi është kryesisht në nivelin spitalor sekondar dhe terciar dhe shumë pak përmendet ai primar. 80 për qind e kujdesit shëndetësor në Kosovë organizohet në kujdesin primar dhe të mos i jepet fokusi, mendoj që është gabim”, ka thënë Kodra.