Ish-kryeredaktori i Radio Evropës së Lirë, Melazim Koci ka paralajmëruar për rrezikun e mundshëm të dhunës në protestën e nesërme në Beograd, duke theksuar se shërbimet sekrete ruse mund të jenë të përfshira në nxitjen e tensioneve.
Në Beograd nesër është paralajmëruar protesta më masive që nga rënia e Sllobodan Millosheviqit, e organizuar nga studentët për vdekjen e 15 personave më 1 nëntor nga shembja e një strehe në një stacion hekurudhor në Novi-Sad. Ata po kërkojnë përgjegjësi nga shteti.
Sipas Kocit, protestat në Serbi janë rezultat i pakënaqësisë së akumuluar ndër vite, e cila është dashur të adresohej qysh në vitin 2000 për të mirën e vendit.
“Edhe ndërkombëtarët mbajnë një pjesë të fajit, pasi nuk e çuan deri në fund demokratizimin e Serbisë, por ndoqën një politikë mbështetëse”, ka thënë Koci në “Interaktiv” të KTV-së.
Ai theksoi se pjesa më e madhe e protestuesve i përkasin një gjenerate të re, pro-evropiane, e cila e sheh të ardhmen e Serbisë brenda Bashkimit Evropian.
“Kjo gjeneratë ka parë me sytë e saj Evropën dhe e kupton dallimin nga e kaluara e errët e Millosheviqit”, shtoi ai.
Duke folur për rreziqet që mund të sjellë protesta e nesërme, Koci paralajmëroi për një situatë të brishtë në Serbi.
“Ka supozime se presidenti Aleksandar Vuçiq nuk është i sigurt për mbështetjen e plotë të policisë dhe ushtrisë. Madje, besohet se ka çarje brenda pushtetit të lartë”, u shpreh ai.
Sipas tij, prezenca e mijëra agjentëve të shërbimit sekret rus në Serbi mund të ndikojë në përshkallëzimin e protestave.
“Druhem sepse midis tre deri në pesë mijë agjentë të shërbimeve sekrete ruse janë në Serbi dhe mund të nxisin dhunë, pa dëshirën e organizatorëve. Kjo nuk u shkon për shtat protestuesve, sidomos studentëve, por i konvenon Vuçiqit, sepse i jep pretekstin për të shpallur gjendje të jashtëzakonshme”, përfundoi Koci.