Avokati Arianit Koci ka thënë se në Shqipëri ndihet sikurse në Kosovë.
Ai ka deklaruar se nga përvoja personale nuk ka hasur në shqiptarë të Shqipërisë që kanë shprehur antipati ndaj tij vetëm pse është nga Kosova.
“Unë e njoh shumë mirë Shqipërinë, por jo aq sa kam qejf. Ende e kam të paeksploruar. Në Shqipëri ndihem si në Kosovë, kurrë nuk kam parë ndonjë animozitet prej ndonjë shqiptari të Shqipërisë ndaj meje si kosovar. Siç komunikon më mua, komunikon edhe me të vetin”, ka thënë ai të enjten në “Konfront” të KTV-së.
Mirëpo, ndaj kësaj deklarate kanë reaguar panelistët Rron Gjinovci dhe Viktor Buzhala.
“Nuk ka mundësi të shkosh në Shqipëri dhe të mos e takosh një njeri të Shqipërisë që nuk ta përçon emocionin tashmë negativ për ty veç pse je i Kosovës. Nuk po them se e kanë të gjithë, por është e pamundur të shkosh atje dhe të mos e takon një njeri të tillë”, ka thënë Gjinovci.
Ndërsa Buzhala ka vlerësuar se një pjesë e konsiderueshme e shqiptarëve të Shqipërisë i konsiderojnë kosovarët si malokë dhe njerëz të dorës së dytë.
Kurtishaj: Shqiptarët e Kosovës e të Shqipërisë e rritën turizmin bashkë, si komb
Kryetari i Shoqatës së Turizmit të Kosovës, Ruzhdi Kurtishaj, ka thënë se shqiptarët e Kosovës dhe ata të Shqipërisë, së bashku e kanë rritur turizmin.
Ai ka thënë se pas shpërthimit të COVID-19 shqiptarët nga të dyja anët e kufirit janë bërë bashkë dhe e kanë kaluar këtë sfidë, duke bërë që edhe bizneset të mbijetojnë.
“Shqiptarët e Kosovës dhe të Shqipërisë për vite të tëra e zhvilluan turizmin, e vënë në nivel deri në vitin 2015-16 kur filloi të ketë ngritje, kur filluan agjencitë ndërkombëtare të vijnë dhe ta sjellin numrin më të madh të pushuesve. Nga viti 2018-19 pati një rritje të dukshme, sidomos të brigjeve të Durrësit, ku pati mundësi të akomodimit në hotele të mira dhe luksoze dhe agjencitë e huaja morën dhoma në garanci, në ndërkohë shqiptarëve të Kosovës u mbeti shumë pak mundësi. Erdhi COVID-i, pati një vit fatal për të gjithë ekonomitë e botës, ne u bëmë bashkë dhe e tejkaluam këtë sfidë si komb dhe mbijetuan bizneset”, ka thënë ai.
Sipas Kurtishajt, nuk ka turizëm të qëndrueshëm në Shqipëri pa shqiptarët e Kosovës.
Gjinovci dyshon se investimet e mëdha në Shqipëri janë para nga krimi: Ka shpëlarje të parave
Panelisti në “Konfront”, Rron Gjinovci, derisa ka folur për investimet e mëdha në Shqipëri, ka thënë se në këtë vend ka shpëlarje të parave.
Sipas tij, shumë investime – si ndërtimi i hoteleve – nuk janë investime që presin rikthim ekonomik, por shpëlarje parash.
“Paratë me të cilat janë ndërtuar ato hotele, nuk janë para që janë investime që presin rikthim ekonomik, janë kryesisht të shpëlarjes së parave. E kam parë në jug, në fshatin Livadh, aty është një investim shumë i madh, një bar në plazh dhe sa herë kam shkuar aty ka qenë i zbrazët. Çadrat në atë vend kanë qenë 50 euro. Njerëzit nuk kanë ndenjur aty. Përderisa të tjerët që kishin më pak investime, vendet i kishin gjatë tërë kohës plot, ky vend luksoz të bënte të mendosh se ai është për shpëlarje të parasë”, ka thënë ai.
Buzhala: Edi Rama ua ka bërë të qartë kosovarëve se nuk i do, i sheh "tallava"
Gazetari Viktor Buzhala e ka akuzuar kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, se kosovarët i sheh si turistë “tallava”.
Të enjten në “Konfront” në debatin mbi çmimet në bregdetin shqiptar sivjet, Buzhala ka thënë se Rama dëshiron që të ketë turistë elitarë, e të tillë nuk i sheh kosovarët.
“Kosovarët duhet të ankohen më së shumti për trajtimin që u bëhet. Edi Rama e ka bërë të qartë sivjet që dëshiron të ketë turistë elitarë dhe nuk ka qëndruar kot. Ua ka bërë të qartë kosovarëve që nuk po iu dua. Edi Rama nuk i dëshiron kosovarët të sillen andej sepse i sheh si turistë “tallava”, të rangut të dytë. Dëshiron ta ndërtojë një sistem më të integruar, më të sofistikuar, më luksoz. Në Rrugën e Kombit, Rama i ka vendosur dy lloje të taksave, i ka vendosur disa autostrada të tjera, p.sh., nga Tirana për në Elbasan nuk ka pagesa. Rruga për Sarandë në të dyja anët është e re, nuk ka taksë”, ka thënë ai.