Arbëri

Koci: Kosova është viktimë e antiamerikanizmit të fshehtë në Evropë

Milazim Koci

Sipas ish-kryedaktorit të Radio Evropës së Lirë, Melazim Koci, Kosova është viktimë e antiamerikanizmit të fshehtë dhe të heshtur në Evropë.

Në “Konfront” të KTV-së, Koci ka thënë se Bashkimi Evropian kur kërkon nga Kosova që të heqë masat e sigurisë ndaj mallrave serbe, duhet të kërkojë që edhe Serbia t’i largojë bazat ushtarake përreth Kosovës. Ai ka thënë se nëse BE-ja ka interesa të tjera, atëherë është koha që “Kosova ta bëjë diferencimin e aleatëve”.

“Kjo nxjerr një tezë tjetër. Ka ardhur koha që Kosova ta bëjë diferencimin e aleatëve. Kë e ka të vërtetë e kë aleat të rrejshëm. Gjenerali Clark e thotë që para intervenimit të 1999-s BE-ja ka qenë kundër e ka vendosur të hyjë pasi që ka hetuar se SHBA-ja dhe Britania kanë vendosur të hyjnë të vetme”, ka thënë fillimisht ai.

“Unë personalisht mendoj se Kosova është viktimë e antiamerikanizmit të fshehtë dhe të heshtur në Evropë. Pse nuk e njeh për shembull Spanja Kosovën. Pse s’ka qenë te Sllovenia, Bosnja, Kroacia, Mali i Zi? Nëse kjo është problem. Ka pasur shtete të tjera si Belgjika e të tjera që kanë problem me minoritete, por e kanë njohur Kosovën. Ka antiamerikanizëm të fshehtë, të heshtur, dhe Kosova e pëson si krijesë e SHBA-së, e s’e përjashtoj mundësinë që dikush në Evropë e do edhe dështimin e Kosovës”, ka thënë Koci.


Koci: “Plani” për zhvendosje të serbëve në Sanxhak, shantazh i Serbisë ndaj Perëndimit

Ish-gazetari Melazim Koci e ka cilësuar shantazh të Serbisë ndaj Perëndimit, diskutimin se ka një plan të Serbisë që ta zhvendosë popullatën nga veriu i Kosovës në Novi-Pazar.

Sipas tij, kjo është me qëllimin që të arrihet Asociacioni por edhe që të tentohet armiqësimi i Kosovës me Perëndimin.

“Këto ditë dëgjuam një plan të ri të Serbisë, që është vazhdimësi i gropave. Tentimplani për transferim të popullatës serbe nga veriu në Novi-Pazar. Çdo të thotë kjo. Me qëllim viktimizohen para botës, më përkujton vitet ‘81-‘89 kur kështu bënin me qëllim të fundit rrënimin e autonomisë. Këtë radhë s’besoj se do ta bëjnë, por e kanë për shantazh Perëndimit, ose na bëni Asociacion me këto kompetenca ekzekutive si shtet i dytë, ose ne bëjmë skandal, i transferojmë 40 mijë veta. Është shantazh klasik. S’përjashtohet edhe që të bëhet sepse është numër lehtë që të manipulohet. Dhe e dyta përmes kësaj manovre dhe të gjithave, tentojnë që Kosovën ta armiqësojnë me bashkësinë ndërkombëtare, sidomos SHBA-në. Një nga porositë e fundit të ideologut të nacionalizmit serb Dobrica Qosiqit ka qenë kjo: Keni humbur luftën me Serbinë, mos shpenzoni energji, por nëse arrini t’i armiqësoni shqiptarët e Kosovës me SHBA-në atëherë keni gjasa. Këtë janë duke e bërë”, ka thënë ai në “Konfront”.


Koci: Kosova ka humbur momentumin lidhur me Planin "Franko-gjerman"

Ish-gazetari Melazim Koci ka thënë se Kosova e ka humbur momentumin lidhur me Planin “Franko-gjerman”.

Të enjten në “Konfront” të KTV-së, Koci ka thënë se pas dërgimit të letrës së ish-kryeministres serbe, Ana Bërnabiq, në Bruksel, ku thotë se nuk e pranon një pjesë të madhe të dispozitave të Marrëveshjes së Brukselit, Kosova ka pasur mundësi të heqë dorë nga disa pjesë të marrëveshjes, siç është Asociacioni i komunave me shumicë serbe, por nuk e ka përdorur atë.

“Mendoj se momentumin e vet, Kosova e ka humbur më herët. E kam fjalën për marrëveshjen franko-gjermane, mendoj se e ka humbur në kuptimin që në çastin që Serbia ka reaguar në Bruksel, ka dërguar letër të kryeministres Ana Bërnabiq që heq dorë nga një pjesë e madhe e dispozitave të marrëveshjes, Kosova ka pasur dy mundësi. Sipas Konventës së Vjenës palët që bëjnë marrëveshje, ato anë në fuqi edhe pa nënshkrim. Çfarë ka mundur të bëjë Kosova është kjo, pas reagimit të Serbisë, Kosova ka mundur të dërgojë rezerva – të heqë dorë nga disa pjesë të marrëveshjes, ta zëmë Asociacioni, për të vënë baraspeshë, reciprocitet. E dyta, nëse është hetuar që nuk ka reagim të Bashkimit Evropian ndaj atij qëndrimi të Serbisë, Kosova ka mundur të dalë nga marrëveshja”, ka deklaruar ai. 


Sopi: Perëndimi pranon realitete, bisedat për veriun s’bëhen më me kriminelë

Agim Sopi, panelist në emisionin “Konfront” në KTV, ka thënë të enjten se autoritetet e Kosovës më nuk kanë për të biseduar për veriun me kriminelë, por me qytetarë. Sipas tij, ky është realiteti i cili do të pranohet edhe nga Perëndimi.

Teksa ka thënë se Kosova ka rënë në disa gropa të hapura nga Serbia, sipas tij, ka pasur zhvillime pozitive që janë bërë realitet me kalimin e kohës.

“Perëndimi pranon realitete. Një realitet tash për tash i sovranitetit të sigurisë çfarëdo që është krijuar, është hap i madh i rëndësishëm për bisedat për veriun. Sepse më  s’bisedojmë me struktura ekstreme që e kanë konsideruar jo vetëm Serbi, por si ekstremin e Serbisë dhe Rusisë. Ka pasur edhe grupe të Wagnerit e çka do. Por me qytetarët serbë ku i kanë hallet dhe si mund t’i akomodojnë kërkesat e tyre”, ka thënë ai.


Baraliu: Muri nuk po mund të shtyhet me kokë, Kurti duhet të lëshojë pe për çështje strategjike

“Muri nuk mund të shtyhet me kokë”, ka deklaruar njohësi i çështjeve juridike, Mazllum Baraliu, teksa ka vlerësuar se kryeministri Albin Kurti duhet të lëshojë pe për çështje strategjike.

I ftuar në “Konfront” të KTV-së të enjten, ai ka thënë se Kosova duhet të gjejë një mes diplomatik e politik.

“Ajo që po ndodh, po ndodh për shkaqe të ndryshimeve të mëdha në glob gjeopolitike, gjeostrategjike, gjeoekonomike. Është evidente që Kosova edhe më përpara gjatë këtyre 25 vjetëve ka qenë e anashkaluar, e diskriminuar. Muri me kokë nuk shtyhet. Duhet gjetur një mes diplomatik, politik, racional dhe të mundshëm që quhet ndryshe në Perëndim parimi i pragmatizmit dhe utilitarizmit, dy parime kryesore në bazë të të cilave është zhvilluar doktrina kapitaliste deri më tani”, ka thënë ai. 

Baraliu ka shtuar se Qeveria duhet ta kuptojë se nevojitet koordinim me aleatët për disa çështje kur bëhet fjalë për ndërtim të sovranitetit dhe zbatim të ligjit. 

“Kjo Qeveri duhet të kuptojë se nuk është në mundësi dhe fuqi që pa u koordinuar për disa çështje dhe pa lëshuar pe në disa çështje strategjike të ndërtimit të sovranitetit dhe zbatimit të ligjit. Vizita e Vulinit në Moskë do të duhej të ishte një leksion sepse është shuplakë për Perëndimin”, ka thënë ai.