Avokati Arianit Koci e ka quajtur të panevojshëm ndalimin e kryeinspektorit të Inspektoratit të Punës, Hekuran Nikçi, duke deklaruar se klienti i tij po hetohet pa prova konkrete për përgjegjësi penale.
Koci ka shkruar në Facebook të enjten se është i shqetësuar me mënyrën si po trajtohet ky rast, duke theksuar se kjo s’i ngjan një hetimi të drejtë dhe ligjor.
“Si avokat i z. Hekuran Nikçi, shpreh shqetësimin tim për ndalimin e tij dhe mënyrën e trajtimit të kësaj çështjeje. Ky ndalim është i panevojshëm dhe i pabazuar. Z. Nikçi po hetohet pa prova konkrete për përgjegjësinë e tij penale, ndërsa mënyra se si po zhvillohet ky proces nuk i ngjan një hetimi të drejtë dhe ligjor. Për më tepër, kjo është çështje e interpretimit juridik të veprimeve ligjore të palëve në një kontest administrativ. Drejtësia duhet të mbetet e pavarur dhe e paanshme, pa u ndikuar nga faktorë politikë apo interesa të tjera”, ka deklaruar Koci.
Ai ka thënë se do të shfrytëzohen të gjitha mjetet ligjore për t’ia mbrojtur Nikçit të drejtat.
Kryeinspektori i Inspektoratit të Punës, Hekuran Nikçi, dhe ushtruesi i detyrës së menaxherit në Njësinë për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore, Naim Shalaku, janë ndaluar të enjten me urdhër të prokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë për 48 orë, nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës.
Nikçi, i cili është emëruar jashtëligjshëm në pozitë të kryeinspektorit të punës, dyshohet se ka kryer veprat penale: “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Cenim i të drejtave nga marrëdhënia e punës” dhe “Përdorim i paautorizuar i pasurisë”. Edhe Shalaku është ndaluar shkaku i dyshimit të bazuar se i ka kryer veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Cenim i të drejtave nga marrëdhënia e punës”.
Që të dy këta janë intervistuar gjatë të enjtes nga Sektori për Hetime Financiare i Policisë.