Arbëri

Koalicioni për Familjen pret qytetarët me kafe në odën në shesh

Ferid agani - Sokol plakolli

Koalicioni për Familjen fushatën elektorale e ka zhvendosur në sheshin “Skënderbeu” në kryeqytet ku kandidatët për deputet të saj pritën qytetarët me nga një kafe në një odë të improvizuar. Nga aty u theksua se Kuvendi duhet të përbëhet me persona që i përqafojnë vlerat tradicionale.

Me një odë të improvizuar para bustit të heroit kombëtar “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu”, Lista për Familjen ka nisur t’i presë qytetarët me nga një kafe. 

I veshur me veshje kombëtare, kandidati për deputet nga ky koalicion, Sokol Plakolli, tha se Kuvendit të Kosovës i mungon imazhi i shqiptarit tradicional.

“‘Shqiptari në parlament’ është një ide e imja personali që është një kampanjë e realizuar në Festivalin e Lahutës ku ministria nuk e mbështetë Festivalin e Lahutës dhe unë me rroba kombëtare me lahutë dal dhe kam mbledhur mjete për ta realizuar festivalin para dy vitesh dhe aty e kam parë sa është i etur ky popull, sa ka nevojë qytetari me taku shqiptarin tradicional ashtu si është vesh gjyshi, babai jonë. Mandej mendova që këtë shqiptar nuk duhet me humb dhe mendoj se vendi më i mirë ku mundemi me prezantuar shqiptarinë për ta zgjuar vetëdijen e qytetarit tonë është pikërisht parlamenti”, tha Plakolli. 

Në vizitë Plakollit i erdhi kolegu i tij i koalicionit, kandidati për deputet, Ferid Agani.

Agani e vlerësoi aktivitetin artistik të Plakollit, ku kërkoi nga qytetarët që ta votojnë atë për t’u bërë pjesë e legjislaturës së ardhshme. 

“Unë kam ardhur sot në cilësinë e njërit nga bashkudhëheqësit e Koalicionit për Familje qe të mbështes Sokolin në fushatën e tij parazgjedhore. E ka zgjedhur një rrugë me vlera kulturore, ta zënë karrigen në Kuvend të Kosovës. Mendoj se Sokoli e meriton ka treguar edhe në vitet e kaluar një shkallë të aktivizmit qytetar”, tha Agani. 

Drejtuesit e Koalicionit për Familjen kanë njoftuar se në kuadër të fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare të vitit 2025, kjo performancë artistike do të zgjasë deri më 7 shkurt.

Koalicioni për familjen garon në këto zgjedhje me zotimin për ta ruajtur familjen tradicionale, duke kundërshtuar martesat mes gjinisë së njëjtë.