Arbëri

Koalicioni PDAK-LPB kërkon anulimin e votave të diasporës për PAI-në

Koalicioni PDAK-LPB ka kërkuar anulimin e rreth 700 votave të diasporës për Partinë e Ashkalinjve për Integrim, duke e akuzuar këtë subjekt për manipulim dhe keqpërdorim të të dhënave personale të votuesve. Sipas kryetarit të PDAK-së, Qazim Rrahmani, dhe atij të LPB-së, Jeton Emini, ky manipulim mund të ndikojë në shpërndarjen e ulëses së garantuar për komunitetin ashkali në Kuvend

Anulimin e votave nga diaspora që kanë shkuar për Partinë e Ashkalinjve për Integrim (PAI) e kanë kërkuar Qazim Rrahamani dhe Jeton Emini, udhëheqës të koalicionit mes Partisë Demokratike të Ashkalinjve (PDAK) dhe Lëvizjes për Bashkëveprim (LPB).

Sipas Rrahmanit, bëhet fjalë për afro 700 vota të diasporës të cilat përmes një skeme, janë keqpërdorur të dhënat personale të qytetarëve dhe është votuar në emër të tyre nga zyrtarë të PAI-së.

“Rivali ynë politik PAI, ka orkestruar vota të diasporës në grupe të organizuara, në të caktuara ku një person ka votuar për 50 apo 60 njerëz. Po ashtu, i kanë marrë letërnjoftimet, i kanë regjistruar vetë si të tillë, i kanë marrë dëftesat e regjistrimit dhe po ashtu kanë votuar në vend të të tjerëve dhe i kanë paguar votat”, ka thënë Rrahmani.

Sipas tij, lidhur me këtë çështje, zyrtarët e partisë i janë drejtuar edhe Prokurorisë. E për blerjen e votave, ai ka thënë se janë angazhuar edhe shoqata humanitare.

“Përpos që kërkojmë hetim, kërkojmë edhe anulim të votave të diasporës të subjektit PAI, për arsye se ka dëshmi dhe argumente të gjalla se janë të orkestruar. Siç e dini, kandidatët e PAI-së janë dënuar edhe para zgjedhjeve për shantazh, pasi kanë përdorur organizatën humanitare ‘Rahmeti’, në shpërndarje të ndihmave gjatë fushatës”, ka deklaruar Rrahmani.

Kryetari i LPB-së, Jeton Emini tha se votat nga diaspora mund ta ndryshojnë rezultatin dhe koalicioni i tyre ta humbë ulësen në kuvend.

Në konferencën e mbajtur para zyrave të KQZ-së, Emini tha se posedojnë fotografi dhe incizime që dëshmojnë pretendimet e tyre, të cilat thanë se i kanë dorëzuar edhe në Prokurorinë Speciale.

“Në mënyrë sistematike kanë shkuar në diasporë dhe kanë bërë tubime të tipit të koncerteve dhe ua kanë marrë letërnjoftimet pjesëmarrësve aty. Në këtë rast kanë bërë regjistrimin e votuesve në pajisjet e tyre telefonike dhe në njëfarë mënyre janë bërë pronarë të dëftesës së votimit”, ka thënë Emini.

Në faqen zyrtare të Komisionit të Zgjedhjeve, me 99.96 për qind të votave të numëruara figuron që koalicioni PDAK-LPB i ka 1 mijë e 974 vota, ndërsa PAI 1 mijë e 821 vota. Dallimi është 153 vota, pa diasporën. 

Sipas Kushtetutës së Kosovës, komuniteti ashkali ka një ulëse të rezervuar në Kuvend.