Tash e dy muaj në Klinikën e Pediatrisë mungon Somatotropina - që ndryshe njihet si hormoni i rritjes. Mungesa e këtij hormoni, që është terapi ditore për fëmijët, ka shqetësuar prindërit. Zyrtarët e Barnatores Qendrore në QKUK, e cila është përgjegjëse për furnizimin me këtë terapi, thonë se problemi me mungesën e hormonit është global
Për dy muaj rresht, vajza 4-vjeçare e Fitore Baftiut nuk e ka marrë terapinë.
Ajo duhet të marrë çdo ditë hormonin e rritjes për të shtuar peshë dhe për t’u rritur, por ky bar tash e sa kohë nuk gjendet në Klinikën e Pediatrisë në QKUK.
Nga mungesa e kësaj terapie 4-vjeçarja ka humbur peshë.
“Na e kemi fëmijën 4 vjet e 3 muaj. Fëmija është pa hormon të rritjes, as nuk shton peshë e as nuk rritet. Qe dy muaj është mungesë e hormonit për rritje, këtu nuk po jep kurrkush përgjegjësi. Nuk e di a i ka fajet Hafize Rafuna? A i ka fajet Ministria e Shëndetësisë, Arben Vitia? Le të japin përgjigje”, ka thënë Fitore Baftiu, nëna e vajzës.
Ky bar, për shkak të kostos së lartë, gjendet shumë vështirë edhe nëpër barnatore.
Prindërit thonë se nuk po arrijnë ta sigurojnë vetë këtë hormon.
“Unë nuk e di se qysh mundet me u ndalë kjo terapi, sepse kjo nuk është terapi e lehtë, nuk kam këto me ia ble. Një barnatore ma ka dhënë një hormon, në klinikë më thanë nuk bën me ia përdor këtë hormon. Unë tash jam në hall derisa t’i bien hormonet”, ka thënë ajo
E Violeta Grajçevci-Uka, drejtoreshë e Klinikës së Pediatrisë, ka thënë se furnizimi me barna sigurohet nëpërmjet Barnatores Qendrore.
“Ne si klinikë i kemi bërë kërkesat, ndërsa furnizimin e sigurojmë përmes Barnatores Qendrore. Ju lutem i merrni informatat nga drejtoresha e Barnatores Qendrore për arsyen e mungesës”, ka deklaruar ajo.
E sipas drejtoreshës së Barnatores Qendrore, Dardane Mehaj, problemi me mungesën e hormonit është global.
Ajo ka shtuar se prodhuesi i jashtëm nuk po e prodhon më këtë produkt dhe se procedurat e prokurimit për kontrata të reja kanë dështuar.
“Nuk jemi vetëm na si Kosovë që ballafaqohemi, por është problem me u siguru në tregun e rajonit. Po shpresojmë që kësaj radhe se kemi inicue procedurat për kontraktim, shpresojmë që do të ofrojë dikush edhe pse nuk e dimë sa do të ketë një mundësi të tillë”, ka thënë Mehaj.
Krijimi jashtë normales i hormonit të rritjes shkakton zmadhim gjymtyrësh dhe organesh.
Ajo shfaqet me rritje të ndjeshme të shuplakave të duarve, shputave të këmbëve, nofullës së poshtme, hundës dhe gjuhës.