Arbëri

Klasat e ftohta pengojnë mësimin në “28 Nëntori” në Prishtinë

Nxënësit e shkollës së mesme teknike "28 Nëntori" në Prishtinë zhvillojnë mësimin në klasa të ftohta për shkak të izolimit të dobët të dritareve. Nxënësit ankohen se në këto kushte e kanë të pamundur të përqendrohen në mësime. E situata, sipas tyre, bëhet edhe më e rëndë kur jashtë temperaturat bien nën zero gradë

I ftohti nëpër klasa po pengon nxënësit e shkollës së mesme teknike “28 Nëntori” në Prishtinë të zhvillojnë normalisht procesin mësimor.

Pavarësisht se ngrohëset funksionojnë, efekti i tyre është i paktë, sepse sipas nxënësve, problemi është te mosizolimi i dritareve.

Ata thonë se në këto kushte e kanë të pamundur të përqendrohen në mësime.

E situata, sipas tyre, bëhet edhe më e rëndë kur jashtë temperaturat bien nën zero gradë Celsius.

“Gjatë dimrit e kemi shumë ftoftë, nxemëset i lëshojnë, por krejt problem është te dritaret që klasa po është shumë e ftoftë edhe po e kemi problem me u koncentru në mësim”, ka thënë një nxënëse e kësaj shkolle.

Një tjetër nxënës i këtij institucioni mësimor po ashtu ka thënë se dritaret nuk janë më të mirat.

“Ftoftë e kemi për arsye që dritaret nuk janë shumë mirë të izoluara. Zakonisht radiatorët janë të lëshuar gjithë, por nuk është që ndikojnë shumë për arsye se janë disa si….. nuk e di…..do pjesë të hapura te dritaret që hyn të ftohtit shumë. Zakonisht na thonë t’i ndërrojmë vendet ose me i lëvizë bankat, me i vendos kah mesi që mos me na kap të ftohtit”, ka thënë ai.

Nxënësit theksojnë se kur temperaturat bien, orët e mësimit përfundojnë më herët  ose mbahen me orar të shkurtuar.

“Javën e fundit, jemi liruar prej orës tretë ose të katërt dhe e kanë shkurtuar orën për 15 minuta d.m.th. çdo orë minus 15 minuta edhe na ka ra me u lëshu shumë ma herët për arsye që është ftoftë”, ka thënë një nxënës tjetër.

Drejtoresha e shkollës, Fakete Duraku, nuk ka pranuar të flasë për problemin, e madje shkurt edhe e ka mohuar se ekziston ai.

Por, ndryshe nga ajo disa nga mësimdhënës kanë pohuar se në shkollë shkaku i dritareve ka problem me ngrohje.

E drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Jehona Lushaku, ka njoftuar se gjatë muajit janar do të bëhet intervenimi në izolimin e dritareve.

“Në shkollën ‘28 Nëntori’ Prishtinë sistemi i ngrohjes ka funksionuar dhe funksionon vazhdimisht por në dritaret e disa klasave do të intervenojmë në izolimin e tyre nga jashtë, në mënyrë që të ruajnë temperaturën e klasave. Investimi në fjalë do të bëhet gjatë muajit janar 2025 me buxhetin e paraparë 2025”, ka thënë Lushaku.

Objekti i shkollës është ndërtuar në vitin 1947, ndërsa që nga vitet 1989/90 funksionon si shkollë e mesme teknike.