Kirurgu Kushtrim Shala ka kryer një operacion për të cilin është dashur përvoja të cilën Shala nuk e ka pasur, sipas drejtorit të Klinikës së Kardiokirurgjisë, Rifat Brahimaj.
Të mërkurën, Shala e ka paraqitur si sukses operacionin “David” te një pacient me diseksion akut të aortës dhe rupturë në nivel të rrënjës së saj. Siç e ka shpjeguar ai vetë në Facebook, ky është nga operacionet më komplekse.
Por, pacienti ka vdekur disa orë pas operacionit.
Brahimaj i tha KOHËS se rasti duhet të hetohet.
“Duhet të bëhet vlerësim i rastit. Duhet të hetohet pse është kryer një operacion i tillë nga një kirurg i cili nuk ka pasur përvojë. Duhet të shikohet rasti dhe të ndërmerren masa konform rregulloreve”, ka thënë ai.
Ai ka theksuar se mjeku ka qenë vetë përgjegjës për operacionin, por që nuk e ka pasur përvojën.
“Ka qenë vetë kujdestar, personi vetë vendos për çfarë lloj operacioni dhe të nesërmen raporton për punën që ka bërë. Masat mund të ndërmerren nëse ka pasur shkelje që s’ka qenë konform me rregulloren dhe kodin profesional. Ka qenë me licencë, nuk ka qenë ilegal, ka vendosur vetë por sigurisht duhet të raportojë më pas dhe të hetohet nëse ka pasur shkelje”, ka theksuar Brahimaj.
I përfshirë në operacion, sipas postimit të Shalës, ka qenë edhe kardiokirurgu Endrit Shala.
Brahimaj ka kritikuar edhe që kirurgu Shala e ka publikuar operacionin me fotografi dhe video. Ai ka thënë se duhet të hetohet edhe pse është publikuar ky rast pa lejen nga SHSKUK-ja.
Shala në Facebook ka publikuar përveç fotografive me stafin mjekësor, edhe procedurën kirurgjike derisa po ndërhynin te pacienti.
KOHA deri më tani nuk ka arritur që të marrë një përgjigje lidhur me rastin, nga doktori që ka kryer intervenimin, Kushtrim Shala.
Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës ka thënë se mjekët janë të njoftuar disa herë se e kanë të ndaluar publikimin e shkrimeve, fotografive a materialeve tjera, pa autorizim paraprak nga Zyra për Media e SHSKUK-së. Në përgjigjen e kësaj zyre për KOHËN, është thënë se drejtori i Kardiokirurgjisë ka për obligim të ndërmarrë masa ndaj mjekut që s’e ka respektuar këtë urdhëresë.
“Të gjithë drejtorët e klinikave, spitaleve të përgjithshme dhe njësive tjera në kuadër të ShSKUK-së, disa herë janë të njoftuar përmes Urdhëresës, në formë të Qarkores Informative, nga menaxhmentet në të kaluarën, por edhe tani, se kanë ndaluar publikimin e shkrimeve, fotografive dhe materialeve tjera nga institucionet ku punojnë, pa autorizim paraprak nga Zyra për Medie dhe Marrëdhënie me Publikun në ShSKUK, kjo me qëllim që informatat që publikohen të jenë konform kritereve të përcaktuara etike dhe profesionale. Secili drejtor i institucionit, në këtë rast edhe drejtori i Shërbimit të Kardiokirurgjisë, ka obligim që të ndërmarrë masat konform legjislacionit në fuqi, për mosrespektim të kësaj urdhërese”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për Media të SHSKUK-së.
{gallery}